Goditja e anijeve tregtare/ SHBA sulme të reja ndaj Iranit, Trump kërcënon: Republika Islamike nuk do të ekzistojë më!

Forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ajrore kundër objektivave iraniane, në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, njoftoi Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM).

Sipas deklaratës së CENTCOM, operacioni u krye pasi Irani, sipas Uashingtonit, nuk respektoi marrëveshjen e armëpushimit dhe vijoi sulmet në rajon. SHBA akuzon Teheranin se përdori një dron kamikaz për të goditur tankerin me flamur panamez Kiku, i cili transportonte mbi dy milionë fuçi naftë të papërpunuar pranë Ngushticës së Hormuzit.

Forcat amerikane shënjestruan infrastrukturën ushtarake iraniane, duke përfshirë sistemet e mbikëqyrjes, radarët, komunikimet ushtarake, instalimet e mbrojtjes ajrore, depot e dronëve dhe kapacitetet për vendosjen e minave detare.

Ndërkohë, shpërthime të forta u raportuan në rajonin Sirik, në jug të Iranit. Transmetuesi shtetëror IRIB bëri të ditur, duke cituar një zyrtar ushtarak iranian, se një kullë telekomunikacioni u godit gjatë sulmit. Sipas të njëjtit burim, raketa goditën edhe një fshat në ishullin Qeshm, ndërsa deri tani nuk janë raportuar viktima.

Presidenti amerikan, Donald Trump, reagoi pas operacionit me një mesazh në platformën Truth Social, ku deklaroi se avionët amerikanë kishin goditur objektiva iraniane të raketave, dronëve dhe sistemeve të radarëve bregdetarë, duke e cilësuar veprimin si përgjigje ndaj shkeljes së armëpushimit nga Irani.

“Mund të vijë një kohë kur do të detyrohemi ta përfundojmë ushtarakisht punën që kemi filluar me shumë sukses”, shkroi Trump, duke paralajmëruar se “nëse kjo ndodh, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më”.

Sulmet e fundit shënojnë një tjetër përshkallëzim të krizës mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa tensionet në Gjirin Persik vijojnë të rriten pas një serie incidentesh që kanë përfshirë sulme ndaj anijeve tregtare dhe objektivave ushtarake në rajon.