Vazhdon magjia e Messit në Botëror, tjetër rekord në fitoren ndaj Jordanisë
Argjentina e mbylli fazën e grupeve të Kupës së Botës 2026 me një fitore 3-1 ndaj Jordanisë, duke konfirmuar vendin e parë në grup dhe duke dërguar një tjetër sinjal të fortë për rivalët.
Trajneri Lionel Scaloni aktivizoi një formacion me shumë ndryshime, duke lënë pushim shumicën e titullarëve. Megjithatë, kampionët në fuqi nuk hasën vështirësi. Giovani Lo Celso hapi serinë e golave, ndërsa Lautaro Martinez realizoi golin e tij të parë në një fazë finale të Kupës së Botës, duke shënuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Në pjesën e dytë, Jordania ngushtoi diferencën me anë të Al Tamarit, por në skenë doli Lionel Messi. Ylli argjentinas u aktivizua nga stoli dhe në minutën e 80-të realizoi një supergol nga goditja e dënimit, duke vulosur fitoren 3-1.
Me këtë gol, Messi arriti në kuotën e 19 golave në historinë e Kupës së Botës, duke thelluar rekordin e tij si golashënuesi më i mirë në këtë kompeticion. Ky ishte gjithashtu goli i tij i shtatë radhazi në Botëror, një tjetër rekord, ndërsa me gjashtë gola në edicionin aktual ai kryeson listën e golashënuesve.
Argjentina, e cila e kishte siguruar më herët vendin e parë në grup, do të përballet me Kepin e Gjelbër në fazën e 1/16-ave, ndërsa Jordania e mbylli këtu rrugëtimin e saj në turne.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Austria barazoi në mënyrë dramatike 3-3 me Algjerinë, duke siguruar kualifikimin vetëm në sekondat e fundit të takimit.