Portugalia ngec ndaj Kolumbisë, përballë Kroacisë në 1/16-at
Portugalia nuk arriti të siguronte vendin e parë në Grupin K të Kupës së Botës 2026, pasi barazoi 0-0 me Kolumbinë në një ndeshje me shumë raste për shënim. Ky rezultat bëri që portugezët ta mbyllnin grupin në vendin e dytë, ndërsa Kolumbia avancoi si kryesuese.
Kolumbianët e nisën më mirë takimin dhe krijuan disa raste të rrezikshme. Jhon Córdoba fillimisht goditi me kokë mbi portë, ndërsa më pas u ndal nga një pritje e shkëlqyer e Diogo Costa-s. Pak më vonë, Rúben Neves largoi topin mbi vijën fatale pas një goditjeje të Jhon Ariasit.
Portugalia reagoi gradualisht. Cristiano Ronaldo provoi nga një goditje dënimi, por Camilo Vargas ishte i vëmendshëm. Portieri kolumbian u dallua edhe me një pritje spektakolare ndaj Bruno Fernandesit, ndërsa tentativa akrobatike e João Félixit kaloi mbi traversë.
Edhe pjesa e dytë ishte e luftuar. Félix humbi një tjetër mundësi të mirë, ndërsa Jefferson Lerma nuk arriti të mposhtte Diogo Costa-n. Me kalimin e minutave, Kolumbia u bë më këmbëngulëse në sulm, por Richard Ríos goditi pranë shtyllës, ndërsa Costa bëri një tjetër pritje vendimtare ndaj Arias-it.
Në minutat shtesë, Davinson Sánchez dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për një pozicion jashtë loje.
Me këtë barazim, Kolumbia ruajti vendin e parë në grup dhe në fazën e 1/16-ave do të përballet me Ganën. Ndërkohë, Portugalia e mbylli grupin në vendin e dytë dhe në raundin tjetër do të ketë përballë Kroacinë.