Ibrahimovic mbron Iranin dhe sulmon VAR-in: I vodhën ëndrrën një kombi

Zlatan Ibrahimoviç ka reaguar ashpër ndaj vendimit të VAR-it për të anuluar golin e Iranit në minutat shtesë të ndeshjes kundër Egjiptit në Kupën e Botës 2026.

Ish-sulmuesi suedez, i cili aktualisht është komentator për FOX Sports gjatë Botërorit, kritikoi ashpër arbitrat pasi goli i Shoja Khalilzadeh u anulua për pozicion jashtë loje. Ai gol do t'i kishte dhënë Iranit fitoren dhe kualifikimin në fazën e 1/16-ave si vendi i dytë në grup, pas Belgjikës, ndërsa pas vendimit të VAR-it kombëtarja iraniane mbeti pranë eliminimit.

Ibrahimoviç u shpreh se besueshmëria e sistemit VAR po dëmtohet nga vendime të tilla.

"Ja pse njerëzit po e humbin besimin te VAR-i. Na u tha se u krijua për të eliminuar gabimet e qarta, por vazhdon të krijojë polemika edhe më të mëdha në skenën më të rëndësishme të futbollit. Kjo është krejtësisht e papranueshme", deklaroi ai.

Suedezi shtoi se e ka rishikuar disa herë pamjen e aksionit dhe nuk arrin ta kuptojë se si u sinjalizua pozicioni jashtë loje.

"Nëse anulon një gol që mund të vendosë fatin e një kombi në Kupën e Botës, duhet të jesh 100 për qind i sigurt, jo të hamendësosh pas një ekrani. Miliona iranianë festuan atë që besuan se ishte një moment historik, por brenda pak sekondash gjithçka u anulua. Nuk anuluan vetëm një gol, por i vodhën ëndrrën një kombi", përfundoi Ibrahimoviç.