Skandal i madh! Kapiteni i Kepit të Gjelbër nën hetim penal me akuzën e përdhunimit

Kapiteni i përfaqësueses së Kepit të Gjelbër, Ryan Mendes, është vënë nën hetim nga autoritetet policore të Zelandës së Re, pas një denoncimi për një rast të dyshuar përdhunimi që pretendohet të ketë ndodhur në mars të vitit 2026.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, rasti është në hetim që prej muajit prill, ndërsa autoritetet po analizojnë prova të ndryshme, përfshirë dëshmi të dëshmitarëve dhe dokumente mjekësore të paraqitura nga ankuesja.

Bëhet e ditur se gruaja që ka bërë denoncimin ka punuar si përkthyese gjatë qëndrimit të delegacionit të Kepit të Gjelbër në Zelandën e Re. Ajo ka kontaktuar gjithashtu disa institucione të futbollit, përfshirë FIFA-n dhe Federatën e Futbollit të Kepit të Gjelbër, duke kërkuar hetim dhe masa disiplinore.

Policia e Zelandës së Re ka konfirmuar se hetimet janë ende në vazhdim, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme për shkak të konfidencialitetit të procesit. As FIFA dhe as autoritetet e futbollit nuk kanë bërë ende deklarata zyrtare mbi çështjen.

Ndërkohë, Ryan Mendes, 36 vjeç, sulmues i klubit turk Iğdır dhe kapiten i Kepit të Gjelbër, vazhdon të jetë pjesë e skuadrës në Botërorin 2026, ku kombëtarja e tij ka arritur në fazën e eliminimit direkt dhe pritet të përballet me Argjentinën në raundin tjetër.

Hetimet mbeten të hapura, ndërsa rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv dhe mediatik ndërkombëtar.