Chelsea vazhdon ‘blerjet e mëdha’, Granit Xhaka drejt ‘Stamford Bridge’ për t’u ribashkuar me Xabi Alonson
Chelsea duket i pandalshëm në merkato, duke synuar një tjetër përforcim të rëndësishëm për mesfushën. Sipas Florian Plettenberg, klubi londinez ka arritur një marrëveshje verbale të plotë me Granit Xhakën për kushtet personale, duke e afruar shumë transferimin e tij në ‘Stamford Bridge’.
Mesfushori zviceran, aktualisht pjesë e Sunderlandit, është shumë pranë rikthimit në një klub të madh europian. Ish-kapiteni i Arsenalit pritet të bashkohet sërish me Xabi Alonson, trajneri i tij të mëparshëm te Bayer Leverkusen në periudhën 2023–2025, ku së bashku fituan Bundesligën në vitin 2024 dhe arritën deri në finalen e Europa League, të humbur ndaj Atalantës.
Chelsea tashmë ka hyrë në negociata edhe me Sunderlandin, por ende nuk janë përcaktuar detajet përfundimtare të transferimit.
Xhaka, 33 vjeç, aktualisht ndodhet me përfaqësuesen e Zvicrës në Botërorin 2026. Ai u transferua te Sunderlandi në sezonin 2025–26 dhe ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, me 36 paraqitje, 1 gol dhe 6 asistime, duke ndihmuar klubin anglez të sigurojë një kualifikim historik në Europa League.
Tashmë mbetet të shihet nëse marrëveshja do të finalizohet, por Chelsea duket i vendosur të vazhdojë projektin e tij ambicioz me emra të mëdhenj në mesfushë.