Tragjedia në Venezuelë, tërmeti i merr jetën futbollistit të kombëtares U-20
Bilanci i viktimave nga tërmeti shkatërrues që goditi Venezuelën vazhdon të rëndohet dhe tragjedia ka prekur edhe botën e futbollit. Mes viktimave është edhe futbollisti i ri, Yimvert Berroterán, sulmues i lindur në vitin 2008, i cili vetëm pak javë më parë kishte debutuar me kombëtaren U-20 të Venezuelës dhe në elitën e futbollit venezuelian me skuadrën e Universidad Central de Venezuela.
Lajmi i hidhur u konfirmua nga Federata Venezueliane e Futbollit, e cila publikoi një mesazh prekës ngushëllimi për humbjen e talentit të ri.
"Federata Venezueliane e Futbollit shpreh ngushëllimet e saj më të thella për ndarjen nga jeta të Yimvert Berroterán. Sot futbolli venezuelian i jep lamtumirën me dhimbje të madhe një të riu që përfaqësoi me krenari, përkushtim dhe dashuri ngjyrat e vendit tonë. Humbja e tij prek të gjithë familjen 'Vinotinto' dhe lë një gjurmë të pashlyeshme te të gjithë ata që ndanë me të momente brenda dhe jashtë fushës. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëlojtarët, stafin teknik dhe të afërmit e tij në këtë moment dhimbjeje të thellë. Yimvert, drita jote do të vazhdojë të shkëlqejë në zemrën e çdo anëtari të familjes 'Vinotinto'. U prehsh në paqe", thuhet në deklaratën e Federatës.
Tërmeti ka shkaktuar edhe tragjedi të tjera në vend. Mes viktimave është edhe Andrea, bashkëshortja e futbollistit Héctor Bello, e cila humbi jetën pasi mbrojti me trupin e saj vajzën njëvjeçare Alana, e cila mbeti e bllokuar nën rrënoja.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm Venezuelën, por edhe komunitetin ndërkombëtar të futbollit, i cili ka shprehur solidaritet dhe mbështetje për familjet e viktimave në këtë moment të vështirë.