Kepi i Gjelbër shkruan histori me dy rekorde në Botëror

Kepi i Gjelbër ka hyrë në historinë e Kupës së Botës 2026, duke siguruar kualifikimin në fazën e 1/16-ave të finales në pjesëmarrjen e tij të parë në turneun më të madh të futbollit. "Peshkaqenët Blu" kanë vendosur një rekord të ri, pasi janë bërë vendi me popullsinë më të vogël që arrin të kalojë fazën e grupeve në historinë e Botërorit.

Me rreth 500 mijë banorë, Kepi i Gjelbër ka lënë pas shumë kombëtare me traditë, duke shkruar një faqe të artë në historinë e futbollit të këtij shteti afrikan. Ky rekord do të mbetet në fuqi të paktën deri në Botërorin e ardhshëm, pas katër vitesh.

Për disa ditë, kombëtarja e drejtuar nga Bubista do të mbajë edhe një tjetër rekord të pazakontë. Mes 82 përfaqësueseve që kanë marrë pjesë të paktën një herë në Kupën e Botës, Kepi i Gjelbër është e vetmja që ka arritur të kualifikohet në fazën me eliminim direkt pa fituar asnjë ndeshje.

Rrugëtimi historik u ndërtua falë tri barazimeve ndaj kundërshtarëve shumë të fortë. Përfaqësuesja afrikane ndali Spanjën, Uruguain dhe Arabinë Saudite, duke grumbulluar pikët e nevojshme për të siguruar një vend mes 32 skuadrave më të mira të turneut.

Tashmë aventura e Kepit të Gjelbër bëhet edhe më e vështirë. Në fazën e 1/16-ve e pret një sfidë prestigjioze ndaj kampiones në fuqi të botës, Argjentinës. Përballja do të zhvillohet më 3 korrik, në Miami, ku skuadra afrikane do të synojë të vazhdojë ëndrrën e saj historike në Botërorin 2026.