Botërori ‘zbraz’ zyrat në Meksikë, qeveria urdhëron punën nga shtëpia për ndeshjen e 1/16-ve
Atmosfera e Botërorit 2026 ka pushtuar Meksikën, aq sa autoritetet kanë marrë masa të veçanta për të lehtësuar zhvillimin e jetës në kryeqytet gjatë ndeshjes së kombëtares në fazën e 1/16-ave të finales. Qeveria federale ka miratuar një dekret që parashikon punën nga shtëpia për një pjesë të administratës publike më 30 qershor.
Vendimi vlen për punonjësit federalë që kanë zyrat në Ciudad de México dhe shoqërohet edhe me pezullimin e procesit mësimor në të gjitha shkollat e kryeqytetit. Presidentja Claudia Sheinbaum shpjegoi se masa synon të kontribuojë në përmirësimin e qarkullimit urban, rritjen e sigurisë rrugore, garantimin e vazhdimësisë së aktiviteteve administrative dhe rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike.
Ky është vendimi i tretë i këtij lloji që merret gjatë Botërorit. Megjithatë, përjashtim bëjnë shërbimet thelbësore, si sektori i shëndetësisë, siguria publike, transporti dhe të gjitha detyrat që lidhen me organizimin e turneut, të cilat do të vazhdojnë normalisht punën.
Ndërkohë, për sektorin privat puna nga shtëpia nuk është e detyrueshme, por qeveria u ka bërë një thirrje të qartë kompanive dhe institucioneve private që, aty ku është e mundur, të lejojnë punën në distancë ose forma fleksibile organizimi për aktivitetet jo thelbësore.
Sipas të dhënave aktuale, rreth 18% e kompanive në Meksikë u japin tashmë mundësi punonjësve të punojnë nga shtëpia për të ndjekur ndeshjet e kombëtares në Botërorin 2026, duke dëshmuar edhe një herë ndikimin e jashtëzakonshëm që futbolli ka në jetën e përditshme të vendit.