VIDEO-‘Protesta që tronditi qeverinë’/ Balliu: Qytetarët dolën mbi propagandën, rrjetet thyen mediat e qeverisë
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në ‘Edicionin e Pasdites’ në SYRI TV me moderatorin Arnold Karriqi ka folur për protestën qytetare që sot është në ditën e saj të 28-të. Sipas tij, kjo protestë ka sfiduar drejtpërdrejt qeverisë dhe kontrollin e saj mbi hapësirën mediatike.
Sipas Balliut, pretendimet se protestat pengojnë turizmin janë të pavërteta dhe të fabrikuara. Përkundrazi, ai shkon deri aty sa thotë se ka pasur turistë që jo vetëm nuk janë shqetësuar, por janë bërë kuriozë për të parë nga afër protestën.
Ai e konsideroi protestën si një akt që ka nxjerrë në pah një “pjesë gri” të shoqërisë, e cila sipas tij nuk mobilizohet nga partitë, por reagon spontanisht ndaj realitetit politik dhe ekonomik.
‘Këta që thonë do pengojnë turistat për shembull. Janë dhe këto shprehjet e tjera. Unë kam takuar turistë, a po doni të vërtetën, më shumë po vijnë të shohin protestën sesa të shohin ça ndiejnë atë erën e Edi Ramës e Lana?
Më shumë turistë ka tek protesta sesa ka për të parë Tiranën vërdallë. Kjo protestë po jep siguri këtyre turistave.
Është e qartë që protesta tregoi forma të ndryshme të qasjes. Thashë edhe një herë, ajo ishte një protestë që e kanë thirrur ata. Dhe normalisht ata me njëri-tjetrin janë aty.
Por kjo shërben edhe për opozitën që të evidentojë figura atje. Pra që në Shqipëri janë këto figura. Dhe patjetër që ato e kanë një vend në Partinë Demokratike.
Dhe tregoi një qasje ndryshe në një betejë politike kjo protestë që duhet marrë parasysh, që janë rrjetet sociale, që është një fenomen, ato arritën me telefonat e tyre të zhbëjnë një nga investimet më thelbësore të Edi Ramës që është kapja e mediave.
Algoritmi, i nxorrën algoritmin nga veshët. Atyre, them edhe një herë, ata kanë bërë një akt në kuptimin e plotë të fjalës shpëtimtar për vendin tonë. Ata edhe vetë nuk e dinë çfarë kanë bërë. Do të duhet kohë e vite më pas sepse realisht kishte rënë vendi në një depresion.
Dhe këta 33-ja, kjo protestë e nxori nga ky depresion. Të themi atë që është. Nxori njerëz që s'kishin në plan të dilnin asnjëherë në protestë. Dhe është më se normale që këtë do ta bënin ata dhe nuk mund ta bënte asnjë parti politike, se siç ju thashë në fillim, gjithmonë ka një pikëpyetje kur një protestë e thërret një parti politike. Këta anëtarët e saj merren, vijnë.
Por pjesa gri që quhet, është një pjesë e cila nuk afishohet dot mbas interesit të një partie. Ajo çfarë është më e rëndësishme për t'u thënë me këtë protestë dhe që personalisht dhe ne si demokratë na pëlqen, është që kërkesat që ata kanë, janë kërkesa që i ka bërë Partia Demokratike prej kohësh.
Paketa e maleve, domethënë kjo e zonave të mbrojtura. Ka 37 deputetë të Partisë Demokratike që e kanë çuar ligjin për zonat e mbrojtura që këta i hapën rrugë ndërtimit, e ka çuar në Gjykatë Kushtetuese. Dhe doli 4 me 4. Po të kishte qenë kjo protestë në atë kohë, 5 me 3 do ishte, sot do kishim shpëtuar ne.
Domethënë, pra këto janë të gjitha hapa që i ka ndërmarrë Partia Demokratike. Pra në qoftë se ata i kërkojnë diçka Partisë Demokratike, s'ka çfarë i kërkojnë në rastin konkret, se këto i kemi bërë dhe jemi plotësisht pro. Ne i kemi pasur në program për zonat e mbrojtura, e kishim në program në zgjedhjet e fundit.
Ligjin për investitorët strategjikë që është piku i Edi Ramës e kishim program për eliminimin e tij. PPP-të e kemi pasur në program për eliminimin e tyre. Që mos të ketë më shumë se dy mandate kryeministri, e kemi pasur në program. Pra domethënë në të gjitha rastet, i gjithë artikulimi i atyre është artikulim opozitar dhe kjo është një çështje shumë pozitive për Partinë Demokratike, por Partia Demokratike mund të mësojë sot nga qasja e tyre, qasja e tyre ndryshe, me ironitë e tyre, me batutat e tyre, me rrjetet sociale’, tha Klevis Balliu ndër të tjera në SYRI TV.