Dukagjin Lipa i përlotur në dasmën e së bijës, publikon pamjet emocionuese

Dukagjin Lipa ka ndarë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale disa momente të veçanta nga dasma e vajzës së tij, yllit shqiptar me famë botërore Dua Lipa, me aktorin britanik Callum Turner.

Ceremonia madhështore është zhvilluar disa ditë më parë në Palermo, ku çifti kurorëzoi dashurinë e tyre në një atmosferë elegante dhe familjare.

Mes fotografive të publikuara nga Dukagjin Lipa, një nga momentet më emocionuese është ai kur ai shoqëron të bijën drejt altarit. Pamja ka përcjellë emocionin e madh të një babai në një prej ditëve më të rëndësishme të jetës së vajzës së tij.

Një tjetër fotografi që ka tërhequr vëmendjen është momenti kur Dukagjin Lipa shfaqet me lot në sy gjatë fjalimit të tij në dasmë, duke reflektuar emocionet e forta dhe krenarinë për Duan.

Në albumin e publikuar nuk mungon edhe portreti familjar, si dhe një foto ku Dukagjin Lipa shfaqet krah dhëndrit, Callum Turner, duke treguar marrëdhënien e ngrohtë dhe respektin mes tyre.

Këto momente kanë marrë menjëherë vëmendjen e fansave, të cilët kanë komentuar emocionin dhe afërsinë familjare të shfaqur gjatë ceremonisë.