Mbyllet Botërori për Yeremy Pino, dëmtimi e detyron të largohet nga turneu
Lajm i keq për kombëtaren e Spanjës në prag të ndeshjeve të radhës në Botëror. Mesfushori Yeremy Pino ka mbyllur para kohe aventurën në këtë kompeticion, pas një dëmtimi të pësuar në sfidën e fundit ndaj Uruguajit.
Pino u aktivizua si zëvendësues në minutën e 66-të, por gjatë lojës pësoi një problem fizik që nuk e lejoi të ishte në gjendjen optimale. Spanja i kishte kryer të gjitha zëvendësimet, ndaj mesfushori nuk mundi të largohej nga fusha dhe u detyrua të vazhdonte deri në vërshëllimën finale.
Pas përfundimit të takimit, lojtari u largua nga stadiumi me krahun e imobilizuar në një mbajtëse, duke konfirmuar shqetësimin për dëmtimin e tij.
Mungesa e Pinos është një goditje për Spanjën, e cila humbet një alternativë të rëndësishme në repartin e mesfushës për pjesën e mbetur të Botërorit.