EMRI/ Kërcënoi punonjësen pas shkarkimit nga detyra, përjashtohet ish-drejtori i policisë së Shkodrës
Përjashtohet nga radhët e Policisë së Shtetit ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH.
Vendimi nuk është ende përfundimtar, pasi pritet të shqyrtohet edhe nga Komisioni i Apelimit. Berberi ishte pezulluar më herët nga detyra, ndërsa ndaj tij u zhvillua një hetim disiplinor pas një incidenti të ndodhur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Pasi u lirua nga drejtimi i Policisë së Shkodrës për shkak të performancës së dobët në luftën kundër kultivimit të kanabisit, ai ishte transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në sektorin e Analizës.
Berberi është paraqitur në zyrën e drejtoreshës së Burimeve Njerëzore, ku dyshohet se ka përdorur gjuhë fyese dhe ka ushtruar presion verbal ndaj saj, i pakënaqur me detyrën e re që i ishte caktuar.
Pas raportimit të ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të Berberit, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale nisi procedurat për hetim disiplinor.
Ndërkohë, drejtoresha e Burimeve Njerëzore depozitoi kallëzim penal pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, duke pretenduar se është ofenduar dhe kërcënuar gjatë ushtrimit të detyrës.
Në përfundim të procedurës disiplinore është vendosur përjashtimi i Gentian Berberit nga radhët e Policisë së Shtetit, ndërsa vendimi pritet të marrë formë të prerë pas shqyrtimit nga Komisioni i Apelimit.