Tellalli dhe monologuesi
Qeveria sheh një Shqipëri që po zhvillohet dita-ditës. Protestat janë keqkuptime nga ata që nuk e kuptojnë zhvillimin.
Pakënaqësitë janë ekzagjerime. Bizneset, ndoshta, nuk po i lexojnë si duhet sukseset. Ndoshta korrupsioni është thjesht perceptim. Ndoshta burokracia është një formë moderne efikasiteti. Ndoshta konkurrenca e pandershme është inovacion. Dhe ndoshta, në fund të fundit, të gjitha problemet që raportojnë qytetarët dhe bizneset janë thjesht zhurmë që pengon dëgjimin e lajmeve të mira.
Ooo milet, dëgjoooni dhe merrni vesh!
Rritja ekonomike e Shqipërisë ka arritur në 8%. Të ardhurat për frymë kanë kaluar të gjitha vendet e rajonit dhe kanë kapur mesataren e Bashkimit Europian. Paga mesatare ka arritur në 1,500 euro në muaj. Pensionet janë 700 euro.
Bilanci tregtar ka kaluar në suficit, pasi eksportet, për herë të parë në histori, kanë tejkaluar importet. Jemi renditur në 10 vendet e para në botë për korrupsion të ulët dhe sipas indeksit të lumturisë, aq sa së shpejti presim që vendi të ketë një fluks kërkesash për imigrantë e marrje shtetësie shqiptare.
Këto padyshim janë lajmet që do të donim t’i dëgjonim në mediat e huaja si “Financial Times”, “Reuters”, apo shumë të tjera që këto kohë e kanë kthyer si rrallëherë vëmendjen te Shqipëria.
Por, fatkeqësisht, këto nuk janë lajme. Janë dëshira… afatgjata madje.
Në realitet, Shqipëria po tërheq vëmendjen e medias ndërkombëtare për arsye krejt të tjera. Për protestat e vazhdueshme, për tensionin politik, për pakënaqësinë në rritje.
Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane të Tregtisë shënoi këtë vit rënien më të madhe historike që nga nisja e matjeve në vitin 2012, me 6.4 pikë. Klima e brendshme politike, infrastruktura, performanca e ekonomisë, burokracia qeveritare dhe korrupsioni rezultuan faktorët që goditën më fort perceptimin e biznesit.
Vetë AmCham e cilësoi situatën si një “sinjal alarmi” për klimën e investimeve dhe konkurrueshmërinë e vendit.
Edhe më shqetësues është fakti se bizneset e perceptojnë korrupsionin në nivelin më të lartë historik nga viti 2012, kur filloi indeksi. Kur sipërmarrja, ose më saktë grupi i sipërmarrësve joklientelistë dhe që investon, punëson dhe mban një barrë të rëndësishme të ekonomisë, arrin në këtë përfundim, problemi nuk mund të fshihet më pas statistikave makro apo deklaratave optimiste.
Ndërkohë, edhe rritja ekonomike zyrtare prej gati 4% jep një realitet tjetër. Sipas të dhënave të fundit, rreth 72% e kontributit në rritjen ekonomike erdhi nga administrata publike dhe taksat neto, ndërsa aktivitetet e ekonomisë reale u zgjeruan me vetëm 1.08%.
Me fjalë të tjera, biznesi po ecën me hapin më të ngadaltë të më shumë se një dekade, ndërsa shteti po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në prodhimin e rritjes ekonomike.
Këto shifra nuk tregojnë që biznesi privat është i pazoti dhe Qeveria po tregohet e zonja se mban rritjen ekonomike. Përkundrazi, kjo tregon se struktura ligjore në vend dhe orientimet qeveritare kanë prodhuar si rezultat një ekonomi që po u largohet tipareve të ekonomisë private të tregut të lirë dhe po shndërrohet gjithnjë e më shumë në ekonomi shtetërore drejt centralizimit.
Por ndoshta problemi është te këndvështrimi. Qeveria sheh një Shqipëri që po zhvillohet dita-ditës. Protestat janë keqkuptime nga ata që nuk e kuptojnë zhvillimin. Pakënaqësitë janë ekzagjerime. Bizneset, ndoshta, nuk po i lexojnë si duhet sukseset.
Ndoshta korrupsioni është thjesht perceptim. Ndoshta burokracia është një formë moderne efikasiteti.
Ndoshta konkurrenca e pandershme është inovacion. Dhe ndoshta, në fund të fundit, të gjitha problemet që raportojnë qytetarët dhe bizneset janë thjesht zhurmë që pengon dëgjimin e lajmeve të mira.
Por ekonomia nuk funksionon me slogane.
Ekonomia funksionon me besim. Dhe besimi nuk ndërtohet duke i trajtuar ankesat si pengesë. Nuk ndërtohet duke shpërfillur sinjalet e tregut. Nuk ndërtohet duke fyer apo duke etiketuar ata që ngrenë shqetësime.
Shteti dhe përfaqësuesit e tij janë zgjedhur nga sovrani. Pikërisht për këtë arsye, ata kanë detyrimin të dëgjojnë. Të përgjigjen. Të jenë transparentë. Të korrigjojnë. Të japin zgjidhje, madje edhe të marrin në konsideratë alternativat e tjera qeverisëse. Jo të shpërfillin, të shtrembërojnë apo të ironizojnë shqetësimet e qytetarëve dhe biznesit, apo deri t’i ofendojnë ata.
Në kohën e sotme, propaganda zyrtare dhe komunikimi me popullin e vet nuk mund të jenë në formatin e tellallit. Por kohët e sotme kërkojnë diçka më shumë se një tellall. Kërkojnë institucione që dëgjojnë po aq sa flasin.
Thelbi është dialogu i kuptimtë dhe i hapur. Ky dialog ka kohë që është kthyer në monolog që dëgjohet e besohet vetëm nga monologuesi. Pjesa e përjashtuar nga dialogu proteston ose ka ulur shkallën e besimit, apo dhe ka zgjedhur të largohet fare nga vendi./ Monitor.