Protestat masive kundër Ramës/ Policia zbaton urdhrat, procedon 15 qytetarë
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 15 qytetarë në lidhje me protestën e zhvilluar në kryeqytet, duke i akuzuar për organizim dhe manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga veprimet hetimore ka rezultuar se tubimi, i njoftuar për t’u zhvilluar nga ora 19:00 deri në 22:00 në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vijuar më pas në disa akse të tjera rrugore të Tiranës.
Protestuesit kanë lëvizur në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllok dhe në segmente të Unazës, ku sipas Policisë është bllokuar qarkullimi i automjeteve, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e miratuar për zhvillimin e tubimit.
Në kuadër të procedimit penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet dhe dy aparate celularë, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi:
Tiranë
Procedohen penalisht 15 shtetas për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me tubimin e zhvilluar në Tiranë, strukturat e Policisë së Tiranës proceduan penalisht 15 shtetas, konkretisht:
A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K., të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se tubimi, i njoftuar për t’u zhvilluar në intervalin kohor nga ora 19:00 deri në orën 22:00, në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, vijoi në disa akse rrugore të kryeqytetit, konkretisht në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-katësheve, ish-Bllok dhe segmente të Unazës, ku u bllokua qarkullimi i automjeteve, në tejkalim të orarit dhe perimetrit të lëvizjes të njoftuar zyrtarisht.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe 2 aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.