SYRI TV/ ‘Fantazma’ e Sharrës merr mijëra euro, Gjykata detyron bashkinë për pagesën
SYRI TV
Bashkia e Tiranës vazhdon të paguajë miliona euro për koncesionarin e Sharrës, edhe pse shërbimi ofrohet i përgjysmuar. Kompania “Integrated Energy” ka siguruar me vendim gjykate pagesën e mbi 100 mijë eurove për fatura të papaguara nga Bashkia për periudhën qershor 2024–prill 2025, ku së fundmi janë likuiduar rreth 50 mijë euro. Bashkia nuk e ankimoi vendimin dhe vijon të paguajë tarifën 29 euro për ton, e cila përfshin edhe djegien e mbetjeve në inceneratorin që nuk funksionon.
Ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe koncesionarit të Sharrës është krijuar një situatë absurde. Administrata e pushtetit lokal paguan miliona euro për një shërbim që kompania “Integrated Energy bv” e ofron të përgjysmuar. Por, ndërkohë që Bashkia e kryeqytetit dhe qeveria nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të negociuar uljen e tarifës dhe të paguajnë vetëm për aq sa ofrohet nga koncesionari, ky i fundit ka kaluar në kundërofensivë, duke i marrë institucionit vendor edhe dhjetëra mijëra euro të tjera, nëpërmjet vendimeve gjyqësore.
Pak ditë më parë, Bashkia e kryeqytetit ka paguar rreth 50 mijë euro në llogaritë e kompanisë së menaxhimit të mbetjeve, e administruar nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara. Transaksioni i kryer në 17 qershor 2026 ka shënimin: “Pjesë pagese e mbetur nga vendimi i gjykatës administrative të shkallës së parë”. Më herët, është paguar edhe kësti i parë. “Syri TV” konsultoi vendimin e cituar në faturën financiare dhe konstatoi se ishte një urdhër ekzekutimi për pagesën e të paktën 10 faturave të pashlyera nga Bashkia e Tiranës, të cilat shtriheshin në periudhën qershor 2024 - prill 2025.
Në vendimin gjyqësor lexohet se Bashkia e kryeqytetit nuk ka paguar fatura në vlerë totale mbi 10 milionë lekë të reja ose më shumë se 100 mijë euro. Po ashtu, nga vendimi kuptohet se ky detyrim financiar i pashlyer i takon ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, për depozitimin e inerteve dhe dherave. Gjykata thotë se Bashkia i ka njohur dhe pranuar këto fatura, por nuk i ka shlyer në kohë. Për këtë arsye, kompania “Integrated Energy bv” ka kërkuar nga gjykata që të detyrojë administratën vendore të shlyejë borxhet. Bashkia e Tiranës nuk ka bërë ankim dhe është treguar shumë bujare që të paguajë menjëherë këto detyrime, ndërkohë që prej më shumë se 5 vitesh nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë për të ndryshuar tarifën 29 euro për ton mbeturina të depozituara, një shifër që përfshin edhe djegien e mbetjeve në inceneratorin fantazmë.