U dyshua për fshehje të ardhurash dhe pastrim parash, pushohet çështja për ish-gjyqtarin e Sarandës
Gjykata e Sarandës ka pushuar çështjen penale ndaj ish-gjyqtarit të saj Elidon Papazisi, i cili po hetohej për 3 vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Vendimi është marrë rreth një muaj më parë nga gjyqtarja Esmeralda Shehu, e cila ka vendosur pranimin e kërkesës së Prokurorisë për pushimin e çështjes që i përket procedimit penal nr.506 të vitit 2022.
Nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është referuar rasti pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke ngritur dyshime që shtetasi Elidon Papazisi dhe familjarët e tij, si persona të lidhur me të, kanë përfituar të ardhura të paligjshme të cilat kanë shërbyer më pas për krijimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme. Referimi mbështetej në analizën e rezultateve të hetimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të kryer për subjektin e rivlerësimit Elidon Papazisi, ish - gjyqtar në Sarandë e Gjirokastër, i cili u dorëhoq pa marrë vendim KPK, e si rrjedhojë iu ndalua rikthimi në sistem për 15 vite.
Megjithatë Komisioni ka ngritur dyshime se disa pasuri janë pasuri të subjektit, të cilat ai i ka fshehur në emër të prindërve, pasi këta kanë rezultuar me pamundësi financiare për krijimin e këtyre pasurive në periudhën 2014-24.4.2015 duke rezultuar me një balancë negative 8,458,781 lekë, si dhe në pamundësi financiare për blerjen e apartamentit dhe garazhit në Yzberish, Tiranë në vitin 2015, duke rezultuar me një balancë negative 10,787,733 lekë.
Gjithashtu nëna e subjektit ka vepruar si person i autorizuar me prokurë duke kryer veprime në llogarinë bankare të shtetasit vëllait të saj, ku në periudha të ndryshme ka depozituar shumën totale 30,691,000 lekë dhe ka tërhequr shuma të konsiderueshme nga kjo llogari, përfshirë edhe shumën 10,000,000 lekë, dy muaj përpara datës së lidhjes së kontratës së shitblerjes së apartamentit dhe garazhit. Nga ana tjetër, ka rezultuar që edhe vëllai i Papazisit të ketë hapur disa llogari bankare ku janë kryer veprime me shuma të mëdha monetare, për një pjesë të të cilave është deklaruar si burim "të ardhura nga emigracioni", edhe pse gjatë hetimit nuk rezultuan nga të dhënat TIMS dalje të këtij shtetasi nga Shqipëria përpara vitit 2012.
Megjithatë ish-gjyqtarin duket se e ka shpëtuar një ekspertim kontabël privat. Nga Prokuroria është administruar akti i ekspertimit përkatës ku sipas ekspertit është arritur në konkluzionin se për çdo transaksion në blerje është mbështetur në të ardhura të mjaftueshme që rrjedhin nga të ardhurat që subjekti dhe familja e tij, janë realizuar nga puna,pensioni, transaksionet e shitjes, mbyllja e depozitave bankare dhe kreditë bankare. Në të ardhurat sa më sipër nuk janë përfshirë të ardhurat nga shitja e mallrave të blera në internet pasi paraqet vështirësi në shpërndarjen e tyre pasi blerjet janë në vlera të vogla dhe për pasojë dhe çdo shitje ka vlerë të vogël. Në përfundim, nga ana e ekspertit kontabël është arritur në konkluzionin se pasuritë aktuale gjendje mbulohen nga të ardhurat e realizuara.
Duke vlerësuar në tërësi veprimet hetimore të kryera, Prokuroria e Sarandës ka arritur në përfundimin se nuk provohet ekzistenca e veprave penale "Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", "Refuzimi për deklarimin,mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim", "Fshehja e të ardhurave",parashikuar nga neni 287, 257/a, 180 i Kodit Penal dhe çështja penale duhet të pushohet.