‘Anulo zgjedhjet e shpallu mbret’/ Letra e de Graaf për Ramën – Bushati: Dëshmi për të blerë përjetësinë
Analisti Andi Bushati ka reaguar ashpër, pas letrës së arkitektit de Graaf për kryeministrin Edi Rama.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Bushati shkruan se propozimi për Ramën që të anulojë zgjedhjet e të shpallet mbret, shkon përtej minimit të demokracisë, formës së regjimit, apo skllavërimit të një gjenerate të tërë me ndihmën e parave të kokainës.
Sipas Bushatit, arkitekti dëshmon për projektin e një bande narcizistësh për të mos vjedhur vetëm të tashmen, por, mbi të gjitha për të fshirë kujtesën dhe blerë përjetësinë.
Statusi:
Skandali i letrës së një arkitekti si de Graaf, që i propozon Edi Ramës të anulojë zgjedhjet e të shpallet mbret, në mënyrë që mos ndërpritet procesi i kullëzimit, të vijojë kafshimi i zonave të mbrojtura dhe projekte të çmendura si ai i hotelit mbi kanionin e Gjipesë, shkon përtej minimit të demokracisë, formës së regjimit, apo skllavërimit të një gjenerate të tërë me ndihmën e parave të kokainës.
Ai dëshmon për projektin e një bande narcizistësh për të mos vjedhur vetëm të tashmen, por, mbi të gjitha për të fshirë kujtesën dhe blerë përjetësinë.
Ata nuk duan vetëm milionat e betonit, por e imagjinojnë Shqipërinë si laboratorin e megalomanisë së tyre, që tashmë e kanë dëshmuar ashtu sikurse duket te kjo foto.