Berisha: Denoncoj me forcë aktet terroriste të agjentëve të SHISH ndaj protestuesve

Berisha ka ngritur akuza ndaj shërbimeve të sigurisë, duke i lidhur veprimet e tyre me presionin ndaj protestuesve.

Berisha u shpreh se, sipas tij, ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta po ushtrohet intimidim dhe sjellje e papranueshme, për të cilat ai kërkon përgjegjësi institucionale dhe politike. Ai akuzoi drejtuesit e institucioneve të sigurisë për veprime të koordinuara kundër protestuesve dhe bëri thirrje që qytetarët të denoncojnë çdo rast presioni, duke e cilësuar situatën si shenjë të një qasjeje shtetërore represive ndaj lirisë së shprehjes dhe tubimit.

Leo Nika: Përshëndetje Doktor.

Të gjithë agjentët e SHIK-ut na presin nëpër qoshe dhe nëpër cepa dhe kanë shtuar presionin dhe na kërcënojnë ne që protestojmë çdo ditë.

Madje agjentët e SHIK-ut kanë arritur deri aty sa na kërcënojnë duke na nxjerrë pistoletat.

Kërkojmë ndërhyrjen e drejtores së SHISH për terrorin që po na bën ne protestuesve.

Sali Berisha:

Dënojmë me forcën më të madhe akte të tilla terroriste, të porositura direkt nga Edi Rama dhe të ekzekutuara me porosi të tilla nga agjentja e përbashkët Rama-Vuçiç, Vlora Hyseni.

E garantoj zonjën se do bëhet përgjegjëse për të gjitha këto akte dhe i ftoj qytetarët t'i fotografojnë kudo që t'i shohin të dërguarit e saj dhe të mos kenë asnjë lloj impresioni ndaj tyre.

Është tipike praktikë e një shteti policesk kjo që ndodh.

Edi Rama merret me njollat dhe biografitë. Po t'i hysh biografisë së tij dhe njollave të tij nuk ka lum që i lan dot ato.

Ndërsen kreun e SHIK-ut dhe policinë kriminale kundër protestuesve.

U bëj thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga asnjë presion i tyre, por t'i denoncojnë me guxim në çdo rast.