Berisha: Shqipëria është sot parajsa e larjes së parave në Evropë, shihni treguesin e ndërtimit
Kreu i Partisë Demokratike, ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë, duke e lidhur situatën ekonomike dhe ndërtimore në vend me atë që ai e cilëson si fenomen i pastrimit të parave dhe ndikimit të krimit të organizuar në ekonomi.
Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga diaspora shqiptare në SHBA, Berisha u ndal te debatet e fundit publike dhe çështjet që lidhen me zhvillimet politike në vend, duke pretenduar se Shqipëria po shndërrohet në një qendër të rëndësishme të qarkullimit dhe pastrimit të parave në Europë.
Ai shtoi se, sipas tij, në vend veprojnë rrjete të strukturuara kriminale të lidhura me trafikun e drogës dhe se këto para po kanalizohen në ekonomi dhe sektorin e ndërtimit, duke krijuar shtrembërime të mëdha në treg.
Albanian Americans: Doktor, përshëndetje. Kam ndjekur këto ditë debatin e hapur në lidhje me Albanian Files. Nuk më habiti letra e arkitektit holandez që i kërkonte Ramës të mos zhvilloheshin zgjedhje dhe të shpallej mbret, se njerëz servilë, të korruptuar ka kudo. Më habiti më shumë fakti se kjo letër ishte e botuar në libër, që Rama e tundte para BBC-së. Çfarë ka ndërmend të bëjë ky njeri, se kjo po bëhet e frikshme?
Sali Berisha:
Faleminderit për pyetjen. Unë ju garantoj ju se ky njeri, si çdo diktator tjetër, është i aftë të marrë çdo vendim për të shpëtuar lëkurën e tij.
Mbi Edi Ramën rëndojnë krime monstruoze, vjedhje të qindra dhe miliarda eurove, vjedhje të pasurive publike të pafundme. Rëndon bashkëpunimi me kartelet që transportojnë çdo vit qindra e qindra tonelata kokainë drejt Europës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.
Më lejoni t'ju rikujtoj vetëm një moment. Në dosjen e Franc Çopjas, që ishte para këtyre Gjika, Dizdari, Aliaj, ndër të tjera shkruhej se një personazh me mbiemër Roboza në Paraguaj dispononte në vit 350 tonelata drogë, kokainë dhe bashkëpunonte me 41 grupe shqiptare të trafikut të drogës.
Njëri prej të cilëve ishte Franc Çopja që kishte siguruar prej tij 28 ton. Që të gjitha këto janë faturë sot, se bashkohen në bashkëpunimin e ngushtë me Edi Ramën dhe qeverinë shqiptare. Sepse këtu droga shtrohet në beton, betoni shtrohet në para dhe drogë përsëri.
Parajsa e larjes së parave është sot Shqipëria në Europë, mbasi ajo e ka treguesin e ndërtimit tre herë më të lartë se sa mesatarja e Bashkimit Europian dhe ka çmimet ndër më të lartat në Europë pikërisht për shkak të narkoeurove.