Berisha: Dokumentet për të përbaltur heroin Tahir Sinani kanë dalë me urdhër të Edi Ramës
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për përfshirje në publikimin e dokumenteve që synojnë të përbaltin figurën e heroit Tahir Sinani.
Berisha u shpreh se këto materiale nuk janë të rastësishme, por janë nxjerrë me urdhër të qeverisë dhe se përfaqësojnë një sulm të qëllimshëm ndaj një figure të njohur të luftërave.
Ai ka kritikuar edhe qëndrimet e përfaqësuesve të mazhorancës, duke i cilësuar si të ndikuar drejtpërdrejt nga kryeministri, ndërsa ka theksuar se veprime të tilla cenojnë kujtesën historike dhe figurat e luftës së Kosovës.
Adelina Dragoshi: Zoti Berisha, Tahir Sinani, hero i tre luftërave, është cilësuar nga Balla si mercenar. A është ky një shërbim i ulët për Beogradin se Tahir Sinani për herë të fundit është cilësuar i tillë nga regjimi i Millosheviçit?
Sali Berisha:
Është absolutisht e njëjta linjë. Është Edi Rama.
Më falni po Taulant Balla, një fjalë të vetme nuk nxjerr pa mesazhet e Edi Ramës.
Taulant Balla është automati i Edi Ramës.
Dhe të jeni të sigurt që edhe dokumentin, një dokument krejtësisht normal borderosh për shpenzime, Tahiri Sinani siç e dini ju komandonte disa brigada në frontin e Pashtrikut, një nga frontet më të nxehta të luftës së Kosovës, pra edhe ato i ka nxjerrë Edi Rama dhe kanë dalë vetëm me urdhër të Edi Ramës nga arkivi i shtetit. I shtetit të pabesë. I shtetit që ndaj luftëtarëve të lirisë përdor standardin e Vuçiçit.