Berisha: Kjo protestë duhet të fitojë, çdo shqiptar duhet të kontribuojë për suksesin e saj historik

Kreu i PD-së në një bashkëbisedim të përjavshëm me qytetarët në rrjetet e tij sociale u shpreh se protesta e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë duhet të fitojë dhe se çdo shqiptar duhet të kontribuojë për suksesin e saj, të cilën ai e cilëson si një zhvillim me rëndësi historike për vendin.

Sipas tij, kjo protestë përfaqëson një lëvizje të gjerë qytetare me pjesëmarrje të madhe nga të rinjtë, qytetarët e Tiranës, qyteteve të tjera dhe diasporës, e cila ka krijuar shpresë dhe entuziazëm në opinionin publik.

Berisha thekson se mbështetja për këtë protestë duhet të jetë sa më e gjerë dhe e vazhdueshme, duke u bërë një detyrim moral për çdo qytetar. Në të njëjtën kohë, ai kritikon qëndrimet e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ndaj kësaj lëvizjeje, duke i konsideruar ato si sulme ndaj pjesëmarrësve dhe ideve që ajo përfaqëson, veçanërisht në hapësirën digjitale dhe publike.

Fjala e tij:

Përsëri kryefjala e zhvillimeve në Shqipëri ka qenë dhe mbetet protesta madhështore e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.

Protestë e qendrestarëve të pamposhtur, e idealeve më të larta dhe fisnike të të rinjve shqiptare.
Nga viti 1990 gjer sot, Shqipëria nuk ka njohur ndonjëherë një protestë rinore, një eksplozion të idealeve, emocioneve, civilitetit të të rinjve shqiptarë, të mbështetur pasivisht dhe nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët e Tiranës, por edhe nga diaspora dhe qytetet e tjera shqiptare.
Në këtë kuadër, vazhdimësia e protestës, masiviteti i saj i përnatshëm janë bërë burim shprese, kanë ngrohur zemrat e qytetarëve shqiptarë në Shqipëri dhe mbarë botën ku janë.
Kjo protestë duhet të fitojë dhe ka vetëm një kusht: mbështetjen e fuqishme nga mbarë qytetarët shqiptarë.
Thirrja ime është për çdo demokrate e demokrat, për çdo shqiptare e shqiptar, kudo që ndodhen, në Shqipëri, jashtë saj, në diasporë, është të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për shqiptarët, Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit.
Secili shqiptar duhet të mendojë për një moment se do të jetë historik kontributi i tij në suksesin e kësaj proteste.
Por, krahas saj, çdo ditë dhe çdo natë dalin si hije të zeza terri, si demonë të vërtetë, qëndrimet ndaj protestës të Edi Ramës dhe puthadorëve të tij të neveritshëm, të cilët nga mëngjesi gjer në darkë, shfrytëzojnë çdo hapësirë dhe çdo mjet për të ndërmarrë sulmet më të shpëlara, më banale, më primitive ndaj idealeve rinore evropiane dhe mbartësve të tyre, të rinjve shqiptarë.
Kësaj fushate të neveritshme i prin vetë direkt kreu i Meduzës, kreu i organizatës kriminale në pushtet, Edi Rama.
Ndiqini me vëmendje përpjekjet e tij.
Pasi e kuptoi se beteja zhvillohet jo në universin që kontrollon ai, të medieve dhe portaleve të pafundme të tij, por kjo betejë zhvillohet në universin dixhital.
Pasi demonizoi blogeret, influenceret.
Pasi shpalli si bajloz të zi algoritmin, Edi Rama u rikthye në genin e tij.
Çdo ditë dhe çdo natë kalon nga bota dixhitale në botën e errët të policisë sekrete shqiptare.
Merret me njolla, merret me biografi njëlloj si etërit e tij.
Sulmon një javë rresht njërin apo tjetrin personazh pse mori fjalën apo pse tha një parullë që nuk duhej ta thoshte.