EMRI/ Qëlloi me automatik pas sherrit me pronarin e biznesit në Babrru, arrestohet i riu në Kamëz

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Babrru. Qëlloi me armë zjarri automatik në drejtim të një servisi celularësh, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e tij, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.

Gjendet dhe sekuestrohet arma e zjarrit e përdorur në ngjarje, së bashku me municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se në Babrru një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një servisi celularësh, organizuan menjëherë një operacion policor për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Veprimi kriminal i 18-vjeçarit dyshohet të ketë ardhur pas një debati me pronarin e servisit të celularëve, ku kishte dërguar një telefon për ta rregulluar. I pakënaqur me rezultatin e shërbimit, i riu ka debatuar me pronarin e servisit, duke përshkallëzuar në sulmin me armë zjarri më vonë.

Nga veprimet hetimore u dokumentua se autori i dyshuar, shtetasi Rejsi Muça, 18 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta me pronarin e servisit, shtetasin Xh. I., ka qëlluar dy herë me armë zjarri automatike në drejtim të biznesit, duke shkaktuar vetëm dëme materiale në fasadën e jashtme dhe në ambientet e brendshme.

Në kuadër të operacionit policor “Zbulimi” të organizuar dhe të zhvilluar në një kohë shumë të shkurtër, shërbimet e Policisë lokalizuan, rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Rejsi Muça 18 vjeç.

Gjatë kontrollit të zonës u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit automatike, e përdorur në ngjarje, si dhe municion luftarak. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.