KQZ shpall sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit në Kosovë
Sot pritet të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 7 qershor.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mblidhet në orën 11:00, ku në rend dite është pikërisht miratimi dhe shpallja zyrtare e rezultateve finale të procesit zgjedhor.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka konfirmuar se në këtë mbledhje do të përmbyllet zyrtarisht procesi i numërimit dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
“Ju njoftoj se të shtunën (27 qershor 2026, ora 11:00), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.