Pronat në Orikum dhe Dukat, Prokuroria zbarkon në banesat e ish zyrtarëve të Hipotekës

Nga Elton Qyno - Syri.Net

Disa kontrolle të befasishme tek ish-zyrtarë të hipotekës së Vlorës dhe zyrat e këtij institucioni janë kryer të premten e 26 qershorit nga prokuroria e Vlorës.

Kontrollet janë justifikuar për shkak të hetimeve që janë duke u kryer lidhur me një dosje penale, që ka objekt hetimi tjetërsimin e pronave në bregdetin e Orikumit, Radhimës dhe zonës së Dukatit.

Oligarkë të fuqishëm të lidhur dhe me banorë vendas kanë tjetërsuar dhe më pas hipotekuar sipërfaqe të tëra toke bujqësore, duke nxjerrë jashtë loje pronarët që kishin fituar gastrat e tokës me ligjin 7501.

Siç mësohet, kallëzimi është depozituar nga një grup banorësh të Kuvendit të Orikumit, Radhimës dhe Dukatit, të cilët jo vetëm në Prokurorinë e Vlorës, por edhe në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, kanë depozituar kallëzime penale për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve” në kuadër të “Grupit të Strukturuar kriminal”.

Kallëzimet janë kryer vitin e kaluar dhe pas një kohe verifikimesh është arritur në konkluzionin, që ditën e djeshme të realizohen kontrollet në disa banesa të ish-zyrtarëve të Hipotekës dhe në zyrat e hipotekës së Vlorës.

Nuk dihet me saktësi nëse janë gjetur sende me vlerë për hetimin dhe dokumente që lidhen me këtë hetim, por ndaj këtij rasti hetimet vijojnë të jenë në dinamikë e sipër.