Ndahet nga jeta Kadir İnanır, aktori që shqiptarët e deshën si 'Iljazin e Shamikuqes'
Është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare aktori i madh turk Kadir İnanır, një prej ikonave më të njohura të kinemasë së Turqisë dhe një emër që la gjurmë për dekada në ekran.
Aktori veteran ka ndërruar jetë në spitalin ku po merrte trajtim për pneumoni. Ai ishte shtruar më 14 maj pas problemeve shëndetësore, ndërsa gjendja e tij u përkeqësua më tej, duke bërë që pas gjashtë ditësh në kujdes intensiv të intubohej.
Lajmi i ndarjes nga jeta vjen vetëm pak ditë pas një tjetër dhimbjeje familjare për aktorin, pasi motra e tij, Altun Arıca, u nda nga jeta më 23 qershor.
Familjarët dhe autoritetet kanë bërë të ditur edhe detajet e ceremonisë mortore. Homazhet për Kadir İnanır do të zhvillohen të premten në orën 13:00 në Qendrën Kulturore Atatürk në Stamboll. Më pas do të mbahet ceremonia fetare në Xhaminë Barbaros Hayrettin Paşa, ndërsa aktori do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat Ulus.
Kadir İnanır konsiderohej një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë turke, me një karrierë disa dekadëshe dhe dhjetëra role që e kthyen në një prej aktorëve më të dashur për publikun turk dhe atë ndërkombëtar.
Për shqiptarët, emri i tij do të mbetet i lidhur përjetësisht me rolin e Iljazit në filmin “Shamikuqja” (Selvi Boylum Al Yazmalım), një prej filmave më të dashur të kinematografisë turke.
Filmi, i prodhuar rreth 45 vite më parë dhe i transmetuar në Shqipëri gjatë viteve ’80, u kthye në një klasik për breza të tërë. Historia e dashurisë mes Iljazit dhe Asjas preku zemrat e miliona shikuesve, duke e bërë personazhin e Kadir İnanır një figurë të paharruar edhe për publikun shqiptar.