'Dorëheqja e Ramës, kusht i panegociueshëm'! Protestuesit përsërisin kërkesat në ditën e 27-të të protestës
Para kryeministrisë, një protestuese në emër të grupit koordinues të protestës lexoi edhe sot kërkesat e panegociueshme ndaj kryeministrit Rama, 5 kërkesat të cilat në pikë të parë kanë dorëheqjen e panegociueshme të Edi Ramës.
Sot shënohet dita e 27-të e protestës.
“Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar propozimet e sovranit për 27 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë politike për të sqaruar protestuesit si dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht në shesh, qoftë ata që na mbështesin me zemër dhe mendje, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:
Tërheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë!
Krijimin e një qeverie teknike transitore jo-partiake me mandat 12-mujor!
Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e saj me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera:
Ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme.
Kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Paralelisht kërkon:
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura.
Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si Paketa e Maleve.
Shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.
Kontrata e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë jopartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.
Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare deri në realizimin e tyre.”
Turma thirri në kor: Rama jep dorëheqjen! Rama jep dorëheqjen! Rama jep dorëheqjen! Rama jep dorëheqjen!