Milani arrin marrëveshje për sulmuesin portugez, transferim rekord prej 60 milionë eurosh
Milani ka realizuar goditjen e parë të madhe të merkatos së verës, duke siguruar shërbimet e sulmuesit portugez, Gonçalo Ramos, nga Paris Saint-Germain. Klubi kuqezi ka arritur marrëveshjen për një operacion me vlerë totale deri në 60 milionë euro, duke e bërë këtë transferimin më të shtrenjtë në historinë e Milanit.
Sipas raportimeve nga Italia, marrëveshja përfshin 50 milionë euro të garantuara dhe deri në 10 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Kështu, transferimi i Ramosit tejkalon edhe atë të Rafael Leaos, i cili deri tani mbante rekordin si blerja më e kushtueshme e klubit.
Sulmuesi 25-vjeçar ishte objektiv kryesor i trajnerit të ri, Ruben Amorim, i cili kërkoi afrimin e bashkëkombësit të tij për të udhëhequr repartin ofensiv të Milanit. Negociatat u lehtësuan edhe nga ndërmjetësimi i agjentit të njohur Jorge Mendes.
Ramos, i cili kërkohej edhe nga Atletico Madridi i Diego Simeones, ka kryer tashmë vizitat mjekësore në Florida, ku ndodhet me kombëtaren e Portugalisë në kuadër të Kupës së Botës 2026.
Milani i ka ofruar portugezit një kontratë afatgjatë, të paktën katërvjeçare, ndërsa ai pritet të përfitojë rreth 4 milionë euro neto në sezon, pagë e ngjashme me atë që merrte te PSG-ja.
Moskualifikimi i Milanit në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve nuk ka ndikuar në vendimin e Ramosit, i cili në "San Siro" pritet të ketë një rol kyç dhe një vend të sigurt në formacionin titullar, ndryshe nga situata e tij në Paris.