Francë–Norvegji, moti jep sinjale pozitive, vetëm 20% mundësi për ndërprerje të ndeshjes

Franca pritet të ketë më në fund fat me motin në Kupën e Botës 2026. Pas ndeshjes së gjatë ndaj Irakut, e cila zgjati më shumë se katër orë për shkak të ndërprerjes së shkaktuar nga stuhitë pranë stadiumit Gillette, sfida e radhës kundër Norvegjisë pritet të zhvillohet në kushte shumë më të favorshme.

Ndeshja, e programuar të luhet në orën 21:00, sipas kohës shqiptare (15:00 me orën lokale), ka shumë më pak gjasa të ndikohet nga kushtet atmosferike.

Meteorologu Guillaume Séchet, prezantues i motit në BFM TV, bëri të ditur se një brez stuhish do të kalojë në veri të Bostonit, ndërsa stadiumi ‘Gillette’ në Foxborough, i cili ndodhet në jug të qytetit, pritet të preket vetëm pjesërisht.

Sipas tij, gjatë ndeshjes mund të ketë reshje shiu në disa momente, por rreziku për një ndërprerje të lojës është shumë më i ulët krahasuar me sfidën e mëparshme të Francës.

Séchet vlerësoi se probabiliteti që ndeshja Francë–Norvegji të pezullohet për shkak të stuhive është rreth 20%, shumë më pak se 60% që ishte parashikuar për takimin Francë–Irak.

Megjithatë, ai paralajmëroi se fenomene të tilla mbeten të vështira për t'u parashikuar me saktësi, pasi stuhitë mund të krijohen edhe në zona të izoluara. Edhe pse fronti kryesor i motit të keq nuk pritet të kërcënojë drejtpërdrejt zonën e Bostonit, formimi i qelizave të veçuara të stuhive nuk mund të përjashtohet plotësisht.

Për momentin, gjithçka lë të kuptohet se ndeshja mes Francës dhe Norvegjisë do të zhvillohet normalisht, duke shmangur skenarin e pazakontë që shoqëroi sfidën e kaluar të francezëve.