Shqipëria e re, fundi i Republikës së pandëshkueshmërisë?
Nga Petrit Vasili
Republika ku jetojmë sot, më pak se çdo gjë tjetër mund të quhet e tillë.
Por një emër tjetër është sot në majën e zemërimit, vëmendjes dhe shqetësimit publik mbarëkombëtar.
Republika e pandëshkueshmërisë është ai armiku më i madh i çdo qytetari.
Falë Republikës së pandëshkueshmërisë, Kryeministrit i rëndojnë faje dhe përgjegjësi të rënda personale të provuara për dhjetëra afera, që mbajnë firmën e tij, dhe megjithatë drejtësia nuk e ka thirrur asnjë herë dhe nuk i ka hapur asnjë hetim.
Ndërsa drejtësia thërret qindra qytetarë për çështje fare banale, nga ana tjetër Kryeministri gëzon de facto statusin e pandëshkueshmërisë absolute.
Kush lejoi vendosjen e telave me gjemba dhe futi mjetet në Zvërnec, kur nuk paska as projekt, siç thotë vetë Kryeministri? Por edhe këtu fajtorë dhe të ndëshkuar nuk ka, sepse Republika e pandëshkueshmërisë jua garanton këtë.
Shohim se si shkatërrohen në Bënjë të Përmetit ujërat termale nga një ndërhyrje monstruoze e qeverisë, që e betonizon dhe asgjëson një vlerë natyrore qindra vjeçare, por fajtorë dhe të ndëshkuar nuk ka, se Republika e pandëshkueshmërisë ia garanton.
Zhduket kanioni i Erzenit në mënyrën më makabre, por sërish fajtorë dhe të ndëshkuar nuk ka.
Në Republikën e pandëshkueshmërisë, 80-vjeçarja arrestohet e ndëshkohet për kotecin e pulave në Nartë, ndërsa ata që asgjësojnë pa iu dridhur syri, copë pas cope, vlera natyrore unikale të paçmueshme, nuk ndëshkohen gjëkundi dhe, për më keq, edhe mbrohen nga ndëshkimi.
Republika e pandëshkueshmërisë selektive, që mbron abuzuesit dhe dhunuesit dhe dënon të dobëtit e të pambrojturit, është zemra kriminale dhe fuqia e narkoshtetit.
Ndaj protesta po ndëshkon me qëndresën e saj Republikën e pandëshkueshmërisë dhe po i nxjerr bojën në të gjithë botën asaj, ndaj edhe është në vëmendjen e të gjitha mediave më të fuqishme të globit.
Kush nuk kupton këtë, thjesht nuk kupton se Republika e pandëshkueshmërisë, shpejt e vonë, do t’i vijë te pragu i derës për ta plaçkitur apo shkatërruar.
Ndaj Shqipëria e re do të thotë fund Republikës së pandëshkueshmërisë dhe triumf i barazisë përpara ligjit.