Bayern blindon Konrad Laimer, marrëveshje për rinovim deri në 2029 me pagë ‘faraonike’

Konrad Laimer do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayernit për një periudhë të gjatë. Mesfushori austriak ka arritur marrëveshje me klubin bavarez për rinovimin e kontratës deri në qershor të vitit 2029, ndërsa zyrtarizimi pritet të vijë në ditët në vijim.

Sipas raportimeve nga mediet gjermane, negociatat nuk kanë qenë të lehta në fillim për shkak të kërkesave ekonomike të lojtarit, por dëshira e përbashkët për të vazhduar bashkëpunimin ka bërë që palët të gjejnë shpejt gjuhën e përbashkët.

Laimer do të përfitojë një pagë mbi 10 milionë euro bruto në sezon, përfshirë bonuset, një shifër që tregon besimin e madh të klubit në performancën e tij dhe rolin që ai ka në skuadër.

Bayern ka vendosur ta “blindojë” një nga lojtarët më të rëndësishëm dhe më të gjithanshëm të formacionit. Përveç rolit në mesfushë, Laimer ka treguar se mund të aktivizohet edhe si mbrojtës i djathtë, duke i dhënë trajnerit fleksibilitet të madh taktik.

Sezoni i fundit ka qenë vendimtar për bindjen e drejtuesve bavarezë. 47 paraqitje, 3 gola dhe 13 asistime kanë bërë që klubi të mos hezitojë për të investuar sërish te ai.

Me rinovimin tashmë shumë pranë zyrtarizimit, Bayern konfirmon strategjinë e tij për të mbajtur shtyllat kryesore të skuadrës dhe për të vazhduar dominimin në futbollin gjerman dhe evropian.