Itali/ Polici humbi jetën gjatë ndjekjes, zbardhet dëshmia e shqiptarit në gjyq, do ruhet me byzylyk elektronik (EMRI)

26-vjeçari Genti Berisha do të qëndrojë në arrest shtëpie me byzylyk elektronik, i akuzuar për arratisje të rrezikshme dhe shkaktim vdekjeje si pasojë e një vepre tjetër penale.

Berisha u arrestua për vdekjen e Francesco Imprezzabile, efektiv i Policisë të Milanos, i cili humbi jetën pak ditë më parë pasi u rrëzua me motor gjatë ndjekjes së të riut me shpejtësi deri në 180 km/h, pasi ky i fundit nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.

Gjyqtarja e hetimeve paraprake, Giulia Masci, pas marrjes në pyetje të Berishës, vërtetoi arrestimin dhe vendosi masën e sigurisë 'arrest shtëpie'.

Sot, prokurorja ndryshoi kërkesën fillestare për burgim, duke kërkuar arrest shtëpie, edhe për shkak se i akuzuari ka pranuar faktet dhe familjarët e tij kanë vënë në dispozicion një banesë ku do të qëndrojë.

Në gjyq Genti Berisha ka marrë 'përgjegjësinë e plotë për këtë veprim instinktiv dhe të pamenduar', duke pranuar se e ka vlerësuar gabim situatën 'si një person i papjekur'. Ai është shprehur 'i penduar dhe thellësisht i tronditur emocionalisht', ndërsa ka kërkuar sërish falje.

Sipas tij, nëse do të kishte reflektuar më mirë, nuk do të ishte larguar dhe nuk e kishte kuptuar që polici kishte rënë nga motori. Berisha është shprehur gjithashtu I gatshëm të dëmshpërblejë familjen e viktimës.

Kështu deklaroi avokati i tij, Fabrizio Cardinali, duke përmbledhur seancën e marrjes në pyetje të zhvilluar paraditen e së enjtes në burgun e San Vittore, përpara gjyqtares së hetimeve paraprake, Giulia Masci.

Berisha u arrestua më 23 qershor për vdekjen e Francesco Imprezzabile, efektivit të Policisë Lokale të Milanos, i cili humbi jetën pasi u rrëzua me motor gjatë ndjekjes së të riut me shpejtësi deri në 180 km/h, pasi ky i fundit nuk iu bind urdhrit për të ndaluar.

Sipas mbrojtjes, i arrestuari ka përsëritur deklaratat që kishte dhënë më herët para prokurores Francesca Crupi. Ai ka kërkuar falje, ka mohuar se ka pasur përplasje mes automjetit SUV që drejtonte dhe motorit të policit, si dhe ka deklaruar se nuk e ka parë momentin kur polici ra nga motori.

Berisha ka treguar se nuk u ndal sepse kishte me vete lëndë narkotike. Megjithatë, sipas avokatit të tij, ai e kupton tani se me 'tre gramë marijuanë nuk do të kishte ndodhur asgjë e rëndë'.

Gjatë dëshmisë së tij, 26-vjeçari deklaroi se në automjet atë mbrëmje ndodheshin edhe persona të tjerë, por nuk pranoi të jepte emrat e tyre, duke argumentuar se 'i kam vënë tashmë në rrezik me këtë veprim dhe nuk dua të përfshihen, sepse jam unë ai që e kam bërë gjithçka', shkruan ANSA.