Shembet masivi shkëmbor në një plazh në Francë, humb jetën një zhytëse – një tjetër rezulton i zhdukur
Një tragjedi është shënuar pranë farit të Biarritz, në jugperëndim të Francës, ku shembja e një masivi shkëmbor ka shkaktuar një viktimë dhe një person rezulton ende i zhdukur.
Ngjarja e rëndë ndodhi në plazhin Miramar, ku një pjesë e madhe e shpatit shkëmbor u shkëput dhe ra në det, duke zënë poshtë tre zhytës që ndodheshin në zonë.
Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin nga uji trupin e pajetë të një gruaje. Një tjetër zhytës u shpëtua pa dëmtime fizike, por në gjendje shoku pas ngjarjes.
Ndërkohë, vijon kërkimi për një 34-vjeçar, i cili dyshohet se ka mbetur nën rrënoja. Sipas autoriteteve lokale, ai është partneri i gruas që humbi jetën.
Sipas Prefekturës së Pyrenees-Atlantiques, rreth 2 mijë metra katrorë shkëmb u shembën rreth orës 20:20 pranë farit të Biarritz. Në momentin e ngjarjes, plazhi ishte i mbushur me pushues, pasi temperaturat në zonë kishin kaluar 40 gradë Celsius.
Dëshmitarët treguan se dëgjuan një zhurmë të fortë përpara se një pjesë e madhe e shkëmbit të shkëputej dhe të binte në det.
“Ne shpesh uleshim aty për të parë perëndimin e diellit dhe nuk e kishim menduar kurrë se shkëmbi mund të shembej”, tha një dëshmitare për AFP.
Operacioni i kërkimit për gjetjen e 34-vjeçarit vijon, ndërsa autoritetet kanë izoluar zonën për arsye sigurie.
🔴 Un pan de falaise s’est effondré à Biarritz. Une plongeuse est morte ensevelie et un homme de 34 ans est porté disparu. #JT20h pic.twitter.com/PmJo0iY9Da
— Le20h-France Télévisions (@le20hfrancetele) June 25, 2026