Era e fortë rrëzon pemë në Gjirokastër, bllokohen përkohësisht disa rrugë
GJIROKASTËR – Era e fortë ka shkaktuar probleme në disa zona të qytetit të Gjirokastrës, ku disa pemë janë rrëzuar duke bllokuar rrugët.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së MZSH-së Gjirokastër, sot në orën 15:11 është marrë informacion se në lagjen Granicë dhe në Virua disa pemë janë rrëzuar si pasojë e motit të keq, duke penguar qarkullimin e mjeteve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, një grup i shërbimit zjarrfikës është nisur drejt vendngjarjes për të ndërhyrë, duke larguar pemët e rrëzuara dhe duke bërë të mundur hapjen e rrugëve.
Nga incidenti nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar. Problematika e krijuar ka qenë vetëm bllokimi i përkohshëm i akseve rrugore, ndërsa shërbimet kanë vijuar punën për normalizimin e situatës.