Henry zbulon sekretin e Messit: Ja zona nga ku lindin shumica e golave të tij
Lionel Mesi po vazhdon të shkëlqejë në Kupën e Botës 2026, duke udhëhequr Argjentinën në mbrojtjen e titullit kampion. Sulmuesi legjendar ka realizuar pesë gola në vetëm dy ndeshje dhe, njëkohësisht, është bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Botërorëve me 18 gola, duke lënë pas Miroslav Klosen.
Për të analizuar formën e jashtëzakonshme të kapitenit argjentinas është përkujdesur ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona, Thierry Henry, i cili tani punon si analist për FOX Sports. Francezi shpjegoi se sekreti i Mesit qëndron te mënyra se si ai shfrytëzon një hapësirë të caktuar në fushë, të njohur si "Zona 14".
Sipas Henry-t, shumica e golave të Mesit gjatë karrierës kanë ardhur pikërisht nga kjo zonë, e cila ndodhet në qendër të fushës, menjëherë jashtë zonës së rreptësisë së kundërshtarit. Madje, ai bëri edhe shaka duke thënë se Mesi e njeh aq mirë këtë hapësirë, sa "është sikur jeton aty dhe ha mëngjesin aty".
Henri e ilustroi analizën e tij duke marrë si shembull tripletën që Mesi realizoi kundër Algjerisë. Sipas tij, kundërshtarët tërhiqen shumë pranë portës nga frika e aftësive të argjentinasit, duke i lënë pa dashje pikërisht hapësirën ku ai është më i rrezikshëm.
Në raste të tjera, Mesi e krijon vetë këtë hapësirë. Ai nis aksionin me një pasim të thjeshtë në krah, lëviz menjëherë drejt "Zonës 14" dhe merr topin sërish në pozicion ideal për të goditur ose për të organizuar sulmin.
Analiza e Henry-t është një mësim taktik për trajnerët dhe futbollistët, por edhe një paralajmërim për të gjitha skuadrat që synojnë të ndalin Argjentinën në Botërorin 2026. Nëse rivalët nuk arrijnë t'ia mbyllin Mesit këtë hapësirë, ‘ylli’ argjentinas mund të vazhdojë të jetë vendimtar edhe në ndeshjet e fazës me eliminim direkt.
🚨 Thierry Henry explains why Messi always score from the same part of the pitch 👀 pic.twitter.com/ozs6mEvu9O
— AM☬ (@AbsoluteMxssi) June 25, 2026