SYRI TV/ Parkimi në rrugët e Durrësit bëhen me pagesë, ja tarifat

Pothuajse në të gjitha rrugët urbane në Durrës parkimi do të bëhet me pagesë. Në Zonën A, ku përfshihen rrugë si “Taulantia”, “Currilat”, bulevardet “Epidamn” dhe “Dyrrah”, tarifa do të jetë 100 lekë/orë. Në Zonën B, ku përfshihen rrugët “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini” dhe të tjera, tarifa do të jetë 40 lekë/orë. Por ky vendim i bashkisë ka revoltuar banorët e zonës dhe turistët, të cilët ankohen se tarifat e përcaktuara janë të papërballueshme dhe kërkojnë rishikimin e tyre.

Bashkia e Durrësit vendos parkim me pagesë në të gjitha rrugët e qytetit, duke rënduar xhepat e qytetarëve.

Në të gjitha rrugët e qytetit ka nisur vijëzimi i tyre dhe vendosja e tabelave. Por ky vendim nuk është pritur mirë nga banorët dhe turistët. Ata thonë se tarifat e përcaktuara nga bashkia janë të papërballueshme në një kohë që pagat në vend janë shumë të ulëta. Ndërsa pensionistët thonë se ky vendim do të shkaktojë shumë konflikte sociale për vende parkimi.

Ndërsa taksistët shprehen se bashkia duhet t'u sigurojë një vend parkimi për ta, pasi paguajnë taksa.

Parkimi me pagesë do të aplikohet nga e hëna në të premte. Gjatë sezonit turistik, nga 1 qershori deri më 30 shtator, tarifimi do të jetë aktiv nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa pjesën tjetër të vitit deri në orën 18:00. Përveç rrugëve, gjashtë sheshe do të jenë me pagesë, mes tyre hapësira pranë Porto Finos, poshtë Urës së Dajlanit, pranë Mauzoleut të Dëshmorëve dhe në territorin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.

Tarifat në këto sheshe do të variojnë nga 100 lekë për dy orët e para deri në 500 lekë për qëndrimin 24-orësh. Zona A përfshin qendrën dhe rrugët me aktivitet të lartë tregtar, ndërsa Zona B përfshin akse më periferike.

Në Zonën A, ku përfshihen rrugë si “Taulantia”, “Currilat”, bulevardet “Epidamn” dhe “Dyrrah”, tarifa do të jetë 100 lekë/orë. Në Zonën B, ku përfshihen rrugët “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini” dhe të tjera, tarifa do të jetë 40 lekë/orë.