Pse Botërori 2026 po thyen rekordin e autogolave? Shpjegohet fenomeni që po përsëritet në çdo ndeshje
Kupa e Botës 2026 nuk po vendos rekorde vetëm për numrin e golave të shënuar, por edhe për autogolat. Turneu që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada ka arritur tashmë në 173 gola, duke kaluar rekordin e 172 golave të vendosur në Botërorin e vitit 2022, edhe pse faza e grupeve ende nuk ka përfunduar.
Megjithatë, një tjetër rekord është shumë pranë. Deri tani janë regjistruar plot 12 autogola, duke barazuar rekordin e Botërorit 2018. Me ndeshjet që kanë mbetur për t'u zhvilluar, gjithçka tregon se edicioni i vitit 2026 do të mbetet i vetëm në krye të kësaj statistike.
Ajo që bie në sy është se shumica e autogolave kanë ardhur në të njëjtën mënyrë. Mbrojtësit, në përpjekje për të larguar topin pas pasimeve të ulëta nga krahët, e devijojnë atë në portën e tyre. Raste të tilla janë parë në ndeshjet mes Shteteve të Bashkuara dhe Paraguait, Shteteve të Bashkuara dhe Australisë, Iranit dhe Belgjikës, Katarit dhe Bosnjë Hercegovinës, si edhe Tunizisë dhe Holandës.
Ekspertët e shpjegojnë këtë fenomen me ndryshimin e stilit të lojës në futbollin modern. Skuadrat përdorin gjithnjë e më pak krosime të larta dhe preferojnë të depërtojnë deri pranë vijës fundore, për të dhënë pasime të ulëta drejt zonës. Në këto situata, mbrojtësit detyrohen të vrapojnë drejt portës së tyre dhe shpesh nuk arrijnë ta pozicionojnë trupin si duhet për ta larguar topin, duke shkaktuar devijime fatale.
Me fillimin e fazës me eliminim direkt, pritet që skuadrat më cilësore, të cilat krijojnë më shumë aksione të këtij lloji, të dominojnë ndeshjet. Për këtë arsye, ka shumë mundësi që numri i autogolave të rritet edhe më tej dhe Botërori 2026 të vendosë një rekord të ri absolut në historinë e këtij kompeticioni.