Ibrahimoviçi mahnitet nga Alajbegovic: Ka lindur një ‘yll’, Milani po e ndjek me vëmendje

Kerim Alajbegovic vazhdon të tërheqë vëmendjen e botës së futbollit pas paraqitjes së shkëlqyer me Bosnjë Hercegovinën në Kupën e Botës 2026. Goli spektakolar i talentit të lindur në vitin 2007 kundër Katarit ka marrë vlerësime të shumta, ndërsa mes atyre që janë impresionuar është edhe legjenda suedeze, Zlatan Ibrahimoviç.

Ish-sulmuesi, i cili e njeh shumë mirë se çfarë do të thotë të shënosh gola spektakolarë, theksoi se ajo që e mahniti më shumë nuk ishte vetë goli, por personaliteti që tregoi 18-vjeçari në fushë.

"Të gjithë flasin për golin, por për mua ai nuk është gjëja më e madhe. Ajo që më ka habitur është guximi i tij. Një 18-vjeçar në Kupën e Botës, nën presion, me miliona njerëz që e shikojnë, luan sikur të ishte pronari i stadiumit. Kjo është diçka e rrallë", deklaroi Ibrahimoviçi.

Ai shtoi se talenti nuk mjafton për të arritur majat e futbollit, duke vënë në pah besimin e madh që Alajbegovic ka në vetvete.

"Shumë lojtarë të rinj kanë talent. Talenti gjendet kudo. Por talenti pa personalitet nuk vlen asgjë. Kur pashë Kerimin, nuk pashë një lojtar të ri që shpresonte të zhvillonte një ndeshje të mirë. Pashë një futbollist që besonte se ishte më i miri në fushë", u shpreh suedezi.

Fjalët e Ibrahimoviçit kanë shtuar edhe më shumë interesimin për mesfushorin ofensiv boshnjak, ndërsa mediet italiane raportojnë se edhe Milani po e ndjek me kujdes zhvillimin e tij. Nëse vazhdon me këtë ritëm, Alajbegovic mund të jetë një nga emrat më të kërkuar në tregun evropian të transferimeve.