Ish kryebashkiaku socialist do vuajë 1 vit burg, Gjykata e Lartë nuk i pranon rekursin e Edison Memollës
Ish kryetari Socialist i Bashkisë Rrogozhinë Edison Memolla do vijojë të vuajë dënimin me 1 vit burg. Gjykata e Lartë nuk pranoi sot rekursin e Edison Memolla, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme, që e dënoi atë me 1 vit burg. Vendimi u dha nga Genti Shala relator, me anëtarë Ilir Panda dhe Albana Boksi.
Hetimet për kryebashkiakun e majtë nisën pas publikimit ekskluziv në Syri Tv, të një audio-përgjimi, ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, ndikon tek një elektricist, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Ky ndikim i Memollës kishte si qëllim sigurimin e votave në favor të tij për zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2022.
Më pas u zbulua se me elektriçistin Xhamani, Memolla bisedoi edhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.
Aktualisht Edison Memolla ndodhet i izoluar pranë burgut të Rrogozhinës e ndërsa kjo bashki po drejtohet nga një i komanduar.