Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë qindra të burgosur lufte

Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer qindra të burgosur lufte, sipas zyrtarëve të premten.

'Sot, 160 ushtarakë u liruan nga robëria', tha presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në platformën sociale X.

Ai tha se ata ishin mbajtur robër që nga viti 2022 dhe përfshinin jo vetëm ushtarë të rregullt, por edhe anëtarë të Gardës Kombëtare dhe roje kufitare.

Më herët, agjencia ruse e lajmeve TASS raportoi kthimin e 160 të burgosurve rusë të luftës, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.

Sipas raportimit, ushtarët rusë ndodhen aktualisht në Bjellorusi dhe do të dërgohen në Rusi pasi të marrin trajtim mjekësor.

Shkëmbimi u ndërmjetësua nga Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas TASS.

Sipas Ukrainës, Rusia dhe Ukraina kanë kryer deri më tani 76 shkëmbime të të burgosurve të luftës. Së fundmi, në fillim të qershorit, u kthyen nga 185 të burgosur nga secila palë.

Kjo mbetet fusha e vetme në të cilën dy palët e konfliktit vazhdojnë dialogun, më shumë se katër vjet pas fillimit të luftës së nisur nga presidenti rus, Vladimir Putin./ DPA News