SYRI TV/ Europol për Shqipërinë: Karteli famëkeq ‘los lobos’, shqiptarët rol kyç

Europol ka publikuar raportin periodik mbi luftën kundër organizatave kriminale të përfshira në trafikun e kokainës nga Amerika Latine dhe pastrimin e parave. Shqipëria zë një vend të rëndësishëm në këtë raport, ku specifikohet se grupet shqiptare janë kyçe në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe më pas në pastrimin e parave. Një tjetër çështje e evidentuar nga Europol është fakti se Tirana është shndërruar në bazë të call center-ave mashtrues, ku vetëm në një episod qytetarëve evropianë u janë zhvatur deri në 50 milionë euro.

Dokumenti prej 54 faqesh, që përmbledh aktivitetin e Europol-it, përmend të paktën tetë herë krimin e organizuar shqiptar, duke nisur nga lidhjet e tij të fuqishme në vendet e Amerikës Latine, si me kartelin famëkeq ekuadorian “Los Lobos” apo me ’Ndrangheta-n italiane, për trafikimin e tonelatave të kokainës dhe pastrimin e parave të pista, deri te mashtrimet përmes call center-ave nga Shqipëria ndaj qytetarëve evropianë.

“Ky është veçanërisht rasti për rrjetet italiane dhe të Ballkanit Perëndimor. ’Ndrangheta italiane, për shembull, ka krijuar rrugë të gjera tregtare të kokainës në Amerikën Latine dhe përdor rrjetet kriminale shqiptare për të mbikëqyrur këto marrëveshje në terren. Si pasojë, ata kanë arritur të krijojnë një pozicion dominues në trafikimin e drogës nga Amerika Latine, duke siguruar kontroll të plotë të procesit kriminal. Disa rrjete shqiptare janë vendosur në Amerikën Latine dhe vazhdojnë të përfitojnë nga marrëdhëniet e tyre transaksionale me kartelet. Rrjete të tjera të Ballkanit Perëndimor kanë zgjeruar gjithashtu përfshirjen e tyre në biznesin e trafikimit të kokainës.”

Dokumenti i Europol hedh dritë mbi mënyrën se si karteli famëkeq ekuadorian “Los Lobos” ndërtoi një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës me shtrirje në Evropë, ku rol kyç kishte edhe një grup kriminal shqiptar. Organizata përdorte kompani eksporti frutash për të kamufluar dërgesat e kokainës, ndërsa droga fshihej në kontejnerë me ngarkesa të ligjshme që mbërrinin në portet më të rëndësishme evropiane. Hetimi çoi në sekuestrime të mëdha, ndërsa u identifikua një bashkëpunim i konsoliduar mes kartelit ekuadorian dhe një rrjeti kriminal shqiptar. Këta të fundit udhëtonin vazhdimisht drejt Ekuadorit për të negociuar marrëveshjet e trafikut, ndërsa qelizat kriminale të vendosura në disa shtete të Bashkimit Evropian organizonin logjistikën dhe shpërndarjen e kokainës në tregun evropian. Kompanitë e eksportit përdoreshin si fasadë për të fshehur aktivitetin kriminal dhe për të depërtuar në tregun evropian.

Gjithashtu, dokumenti i Europol përmend një rrjet kriminal të përfshirë në një skemë mashtrimi online në shkallë të gjerë, që operonte disa qendra thirrjesh (call center) në Shqipëri.

“Aktivitet i organizuar profesionalisht, me ndarje të qartë detyrash midis ekipeve të dedikuara, të koordinuara nga udhëheqësit e ekipit dhe menaxhmenti i lartë, që në total arrinin rreth 450 punonjës. Reklamat në mediat sociale dhe motorët e kërkimit promovonin platforma investimi në dukje legjitime. Viktimat e mundshme kontaktoheshin nga punonjësit e qendrave të thirrjeve, shpesh në gjuhën e tyre, për të ndërtuar besim. Pasi regjistroheshin, ata bindeshin të transferonin shuma të tjera parash.”

Viktimat u identifikuan në të gjithë Evropën dhe në mbarë botën, ndërsa dëmi total financiar vlerësohet të jetë të paktën 50 milionë euro. Rrjeti kriminal u shpërbë në vitin 2026, pas një hetimi ndërkombëtar dyvjeçar.