Rama si ‘mbret’, Paloka: Ka një strategji ta boshatisë vendin dhe ta kthejë Shqipërinë në një kamp skllevërish

Një detaj i pazakontë nga një libër i fundit ka ndezur debate të forta në skenën politike shqiptare, duke ngritur hije dyshimi mbi ambiciet reale të kreut të qeverisë. Gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare, kryeministri Edi Rama ekspozoi me krenari librin "Albanian Files", ku në një fragment të tij, një arkitekt i huaj sugjeron anulimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe shpalljen e kryeministrit president të përjetshëm ose mbret pas mandatit të pestë.

Përfaqësuesit e opozitës e shohin këtë sugjerim jo thjesht si një lajkë artistike apo shaka mes miqsh, por si pasqyrim të një dëshire të thellë për pushtet absolut. Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi gjatë një interviste në edicionin e mesditës në Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, se kjo ambicie reflektohet thellësisht në mënyrën se si po qeveriset vendi aktualisht. Kreu i qeverisë akuzohet se sillet duke tejkaluar edhe kompetencat e një monarku, pasi për dallim nga monarkitë që kanë ligje dhe kushtetuta, sjellja e tij u krahasua me atë të një "skllavopronari" që e konsideron vendin dhe qytetarët si pronë private.

Sipas këtij këndvështrimi opozitar, pushteti aktual po mbahet kundër vullnetit të qytetarëve, përmes një kombinimi të dhunës, joshjes, blerjes dhe represionit. Si rezultat i këtij presioni të vazhdueshëm, vlerësohet se mbi 1.2 milionë shqiptarë kanë zgjedhur të braktisin vendin pas goditjeve në biznese dhe shkatërrimit të standardit të jetesës.

Largimi masiv theksohet se nuk është thjesht një fenomen ekonomik i njerëzve që kërkojnë mbijetesë, por një goditje e drejtpërdrejtë e shtresës së mesme. Akuzat shkojnë edhe më tej, duke denoncuar një skenar të errët: një strategji të mirëmenduar që kalon përtej arrogancës personale, e cila synon boshatisjen e qëllimshme të territorit. Qëllimi final, sipas këtyre denoncimeve publike, është shndërrimi i Shqipërisë në një "kamp skllevërish" të nënshtruar ndaj pushtetit absolut.

Arnold Kariqi: Do të jemi tashmë në hapësirën e intervistës për t'u fokusuar tek zhvillimet aktuale të ditës, sigurisht dhe ato politike. Kam deputetin e Partisë Demokratike Edi Paloka në një lidhje të drejtpërdrejtë. E nisim pak me librin 'Albanian Files' me projektet arkitekturore në Shqipëri, të cilin Rama e tundi me krenari në intervistën e CNN. Besoj që nuk ju ka shpëtuar ai fragment zoti Paloka, ku një arkitekt ndërkombëtar shkruante te Rama, i sugjeronte atij të anulojë proceset zgjedhore në Shqipëri dhe pas mandatit të pestë të shpallet Rama, president i përjetshëm ose mbret. Cili është mendimi juaj?

Edi Paloka: Është e vërtetë që ky detaj jo vetëm vëmendjen time po besoj të gjithë publikut e tërheq tashmë. Dhe të jemi të sinqertë, unë deri dje të paktën, unë personalisht jam tallur me dëshirën reale të Ramës për të qenë mbret i këtij vendi. Sepse pavarësisht nga ajo që i ka shkruajtur miku i tij dhe që shpreh në fakt, jo vetëm një dëshirë të mikut të tij, po dhe një synim të përbashkët. Pasi thashë që Rama në gjithë këto vite e ka shprehur qartë dëshirën dhe ëndrrën e tij për të qenë jo një kryeministër i zgjedhur i këtij vendi, sepse përndryshe do të kishte lejuar zgjedhje deri më sot, por për të qenë një monark absolut. Ashtu po sillet në fakt edhe tani. Gjithë kohës që ai është në krye të qeverisë praktikisht sillet madje jo si një monark, sepse edhe monarkët kanë ligje, kanë kushtetutë në vendet e tyre, kanë rregulla që janë të detyruar t'i zbatojnë, por Rama i ka tejkaluar të gjitha këto. Rama sillet thashë, jo si një monark absolut, po si një njeri i plotfuqishëm, si një shef apo një skllavopronar, që ka nën vete vetëm skllevër dhe gjithë Shqipëria është pronë e tij me të cilën ai mund të bëjë ç'të dojë. Kjo, pra ka qenë sjellja reale.

Arnold Kariqi: E mendon realisht Rama këtë. E mendon realisht Rama që mund të bëhet mbret sepse fakti që edhe e ka futur aty, pra është tej normales kjo?

Edi Paloka: Dëgjo, të thashë që kam bërë, kam bërë shaka me të, dhe në fakt unë e kam quajtur mbreti shurraqi i parë. Sepse të jemi të sinqertë, vërtet Rama ka arritur deri më sot me dhunë, me joshje, me blerje, me represion, ta mbajë pushtetin kundër vullnetit të shqiptarëve. Prej vitesh, jo vetëm unë, po sidomos unë kam kërkuar zakonisht dhe gjithë kohën prej shqiptarëve të ngrihen dhe mos lejojnë që një gjë e tillë të ndodhi. Mos lejojnë që e keqja t'ju shkojë tek dera e shtëpisë. Sepse praktikisht me sjelljen, thashë të deritanishme të Ramës prej një skllavopronari, e keqja ka trokitur dhe padrejtësia ka trokitur në shumë dyer shqiptarësh. Shumë prej tyre tashmë mbi një milion janë larguar nga Shqipëria pikërisht sepse iu është shkatërruar jeta, iu është shkatërruar biznesi, iu është shkatërruar çdo mundësi për të jetuar dhe për të rritur fëmijët në këtë vend.

Dhe për këtë arsye numri i shqiptarëve të larguar e ka kaluar 1 milion e 200 mijë. Nuk janë vetëm njerëz që ikin për bukën e gojës. Por janë sidomos shtresa e mesme e cila ka qenë gjithë kohën nën dhunë dhe nën presionin e kësaj qeverie. Ka qenë e diskriminuar me qëllim. Qëllimi i Ramës është edhe një herë, e kemi thënë, si çdo gjë tjetër që ka thënë opozita në 13 vjet, dhe që sot për fat të mirë po kujtohen edhe të tjerët t'i përsërisin, që Rama me sa duket ka një strategji, nuk është thjesht egoja dhe arroganca e tij, dëshira e tij për të sunduar këtë vend, por një strategji mbase më e madhe, më e gjerë, e përgatitur ndoshta dhe me armiqtë e Shqipërisë, për ta boshatisur këtë vend dhe për ta kthyer pastaj në një kamp skllevërish…