Parkimi me pagesë në Durrës/ Igli Cara: Vendim absurd…, qyteti po bëhet dita-ditës i pajetueshëm

Nisur nga kjo javë, parkimi me pagesë do të zbatohet në disa zona të qytetit të Durrësit. Sipas vendimit të bashkisë, tarifimi do të aplikohet nga e hëna në të premte.

Gjatë sezonit turistik, nga 1 qershori deri më 30 shtator, pagesa do të jetë e detyrueshme nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa në pjesën tjetër të vitit deri në orën 18:00.

Vendimi ka ngjallur pakënaqësi te shumë banorë të qytetit, të cilët i konsiderojnë tarifat të papërballueshme dhe kërkojnë rishikimin e skemës së parkimit, duke argumentuar se nuk mund të përballojnë kostot e reja.

Përveç parkimit në rrugë, me pagesë do të jenë edhe gjashtë sheshe publike, mes tyre hapësirat pranë Porto Finos, poshtë Urës së Dajlanit, pranë Mauzoleut të Dëshmorëve dhe në territorin e Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”. Tarifat në këto sheshe do të variojnë nga 100 lekë për dy orët e para deri në 500 lekë për parkim 24-orësh.

Qyteti është ndarë në dy zona tarifimi. Zona A përfshin qendrën dhe rrugët me aktivitet të lartë tregtar, si “Taulantia”, “Currilat”, bulevardet “Epidamn” dhe “Dyrrah”, ku tarifa do të jetë 100 lekë në orë. Ndërsa Zona B përfshin akse më periferike, si rrugët “Aleksandër Goga”, “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini” dhe të tjera, me tarifë 40 lekë në orë.

Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, përmes një videoje të publikuar në Facebook. Ai e cilësoi vendimin si “absurd”, duke argumentuar se Bashkia e Durrësit po vendos tarifa të reja pa përmirësuar më parë shërbimet publike.

Sipas Carës, parkimi me pagesë nuk është një praktikë e panjohur, por në Durrës po zbatohet pa konsultim me qytetarët, pa zgjidhur problematikat e infrastrukturës dhe në kulmin e sezonit turistik. Ai ngriti shqetësime për gjendjen e rrugëve, trotuareve, pusetave të hapura dhe mungesën e parkimeve për rezidentët, duke shtuar se “Durrësi po bëhet dita-ditës i pajetueshëm”.

Postimi i Carës:

Absurdi i Bashkisë së Durrësit

Pa shërbime, pa rrugë, pa parkime për rezidentët bashkia e Durrësit vendos të faturojë këdo për të parkuar automjetet. Praktika e parkimeve kundrejt pagesës nuk është e panjohur në botë.

Por, në Durrës ndodh çudia! Shërbimet harrohen, ndërsa taksat shtohen! Pa konsultim me qytetarët, pa zgjidhje për problematikat dhe në kulmin e sezonit turistik! A nuk duhej të kishte përfunduar rruga e hyrjes së qytetit të Durrësit?

Po trotuaret ku mund të rrëzohesh, po pusetat e hapura dhe gropat e harruara në rrugë e trotuare? Durrësi po bëhet dita-ditës i pajetueshëm! Ky është realiteti me të cilin përballemi të gjithë!