Pedri: Uruguai do të jetë një provë e fortë për Spanjën, shpresojmë të fitojmë Botërorin si në vitin 2010

Mesfushori i Spanjës, Pedri, ka folur në prag të përballjes ndaj Uruguait, duke pranuar se e pret një sfidë shumë e vështirë përballë një kundërshtari fizik dhe agresiv.

Futbollisti i Barcelonës u shpreh se ndihet më rehat kur luan pak më i tërhequr në mesfushë, pasi në atë rol ka më shumë kontakte me topin dhe mund të ndikojë më shumë në lojën e skuadrës.

Duke analizuar Uruguain, Pedri theksoi se bëhet fjalë për një ekip me intensitet të lartë.

"Ata luajnë shumë fort dhe nuk të falin asnjë duel. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por nëse e mbajmë topin, mund të dominojmë çdo kundërshtar dhe këtë duhet të bëjmë", deklaroi ai.

Pedri foli edhe për shokët e skuadrës. Për Ferran Torres u shpreh i bindur se sulmuesi do të rikthehet te goli dhe do ta ndihmojë shumë ekipin, ndërsa për Gavin tha me humor se "ka ditë kur dua ta vras dhe ditë të tjera kur e dua shumë".

Fjalë të veçanta rezervoi edhe për Lamine Yamal, të cilin e cilësoi një futbollist vendimtar falë shpejtësisë, cilësisë dhe vizionit në pasimin e fundit.

Mesfushori spanjoll nuk harroi të fliste as për Lionel Mesin, me të cilin ndau dhomat e zhveshjes te Barcelona.

"Isha me fat që luajta me të. Ajo që po bën në këtë moshë është e jashtëzakonshme", tha Pedri.

Në fund, ai bëri një krahasim me Spanjën kampione të botës në vitin 2010.

"Ata kishin lojtarë shumë cilësorë dhe luanin futboll spektakolar. Ne fituam Kampionatin Evropian si ata dhe tani shpresojmë të fitojmë edhe Kupën e Botës", përfundoi Pedri.