‘I korruptuari’/ Bardhi për sulmet ndaj protestuesve: Kërkesa është dorëheqja e Edi Ramës…

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi me një postim në Facebook, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga akuzat për korrupsion duke sulmuar protestuesit.

Sipas Bardhit, arsyeja e protestës është korrupsioni i qeverisë, ndërsa kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e Edi Ramës.

I KORRUPTUARI!

Prej disa ditësh, Edi Rama ka nisur një fushatë të ethshme për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga korrupsioni i qeverisjes së tij te sulmet personale ndaj protestuesve. Denigron këdo, në mënyrë që të mos pyetet më “Pse po protestohet?”, por “Kush proteston?”.

Kjo është e vetmja mënyrë e tij e vjetër për të bërë politikë. Kur nuk mund t’u përgjigjet akuzave konkrete, përpiqet të delegjitimojë ata që e kundërshtojnë.

Por shqiptarët kanë vetëm një arsye pse janë në protestë: refuzojnë të udhëhiqen nga një Kryeministër i korruptuar, që e trajton vendin si pronë private dhe pasuritë i ndan me një grusht klientësh, duke pastruar edhe paratë e trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Arsyeja e protestës është korrupsioni.

Është Edi Rama. Kërkesa e protestës është dorëheqja e tij!