SYRI TV/ Eurodeputetët vizitë në Tiranë, Guarda: Rama s’mund të autorizojë resort
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda, pjesë e grupit parlamentar “Të Gjelbrit”, ka njoftuar një vizitë në Tiranë, ku do t’u bashkohet protestuesve për t’i mbështetur. Guarda deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk mund të autorizojë resorte në zona të mbrojtura pa respektuar standardet e BE-së, ndërsa theksoi se do të bisedojë me qytetarët në shesh pa ndërmjetësimin e institucioneve, për të kuptuar gjendjen reale në Shqipëri.
Eurodeputetja italiane Cristina Guarda, e cila është pjesë e grupit parlamentar “Të Gjelbrit”, ka njoftuar se brenda pak ditësh do të jetë në Shqipëri për çështjen e Zvërnecit dhe për të parë nga afër protestat e qytetarëve, të cilët prej 26 ditësh kanë dalë në shesh duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Përmes një videoje në rrjetet e saj sociale, Guarda thekson se kryeministri nuk mund të autorizojë resorte në zona të mbrojtura pa respektuar ligjet dhe direktivat e BE-së, ndërsa shpreh mbështetje për revoltën qytetare kundër korrupsionit.
“Falë amendamentit të propozuar nga ne të Gjelbrit, Europa i thotë Edi Ramës se nuk mund të autorizojë një resort luksoz në një zonë të mbrojtur pa vlerësuar dëmet në mjedis dhe pa respektuar ligjet dhe standardet e BE-së. Pas pak ditësh, ne të Gjelbrit Evropianë do të jemi në Shqipëri. Vijmë tek ju për t’ju mbështetur, për të kuptuar më thellë, pa ndërmjetësim institucional, kuptimin e këtyre protestave: mjedisore, njerëzore, kundër korrupsionit dhe për vetëvendosjen e një komuniteti që nuk i nënshtrohet interesave private dhe spekulimeve.”
Më herët, edhe eurodeputetja gjermane Jutta Paulus ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës së qytetarëve në Tiranë, duke e cilësuar mbrojtjen e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mjedisit si një kauzë me rëndësi të veçantë. Në postimin e saj në Instagram, Paulus deklaroi se synon të dëgjojë shqetësimet e qytetarëve dhe t’i përcjellë ato në Bruksel, duke rritur presionin ndërkombëtar ndaj vendimmarrjes së qeverisë shqiptare.