Francë-Norvegji për kreun e Grupit I, por edhe sfidë yjesh Mbappe-Haaland
Norvegjia dhe Franca do të përballen këtë mbrëmje në Foxborough të Massachusetts në një duel që do të përcaktojë fituesin e Grupit I në Botërorin 2026.
Të dyja kombëtaret e kanë siguruar tashmë kualifikimin në fazën me eliminim direkt, por vendi i parë në grup mbetet ende i hapur.
Norvegjia vjen në këtë sfidë pas fitoreve bindëse ndaj Irakut dhe Senegalit, duke regjistruar për herë të parë në histori më shumë se një fitore në një edicion të Kupës së Botës.
Megjithatë, nordikët ndodhen pas Francës për shkak të golavarazhit dhe kanë nevojë vetëm për fitore për të marrë kreun e grupit.
Në anën tjetër, Franca ka konfirmuar statusin e një prej favoriteve për trofeun, pasi ka mposhtur me autoritet Senegalin dhe Irakun, duke shënuar gjashtë gola.
"Gjelat" synojnë ta mbyllin fazën e grupeve me tri fitore në po aq ndeshje, një arritje që e realizuan për herë të fundit në vitin 1998, kur fituan edhe titullin botëror.
Vëmendja më e madhe do të jetë te dueli mes dy sulmuesve më në formë të turneut.
Erling Haaland dhe Kylian Mbappe kanë shënuar nga katër gola secili dhe kryesojnë garën për "Këpucën e Artë".
Haaland synon të bëhet vetëm lojtari i tretë në histori që realizon të paktën dy gola në secilën nga tri ndeshjet e para të Kupës së Botës, ndërsa Mbappe ka arritur në kuotën e 16 golave në vetëm 16 paraqitje në Botërorët që ka luajtur.
Statistikat premtojnë spektakël, pasi Franca ka shënuar të paktën dy gola në 14 nga 15 ndeshjet e fundit, ndërsa tetë nga nëntë sfidat e fundit të Norvegjisë kanë përfunduar me gola nga të dyja skuadrat.