Sondazhi/ Xhixho: Korrupsioni mbetet pengesa kryesore për investitorët dhe kompanitë që operojnë në vend
Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho tha në një deklaratë shtypi gjatë ditës së sotme se korrupsioni mbetet pengesa kryesore për investitorët dhe kompanitë që operojnë në vend.
“Mbi 2/3 e biznesit e konsiderojnë korrupsionin një problem serioz në Shqipëri. Plot 42.9% e vlerësojnë nivelin e korrupsionit si të lartë dhe 25.6% si shumë të lartë”. “Ky është sinjali më negativ i regjistruar ndonjëherë nga anketa e Dhomës Amerikane për këtë tregues dhe dëshmon qartë se mjedisi i biznesit është përkeqësuar ndjeshëm nën qeverisjen e Edi Ramës”, tha deputetja e PL.
Deklaratë e Zv. Presidentes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.
Sondazhi më i fundit i Dhomës Amerikane të Tregtisë është pasqyra më reale dhe më e besueshme e klimës së biznesit në Shqipëri. Ai rrëzon propagandën qeveritare dhe nxjerr në dritë të vërtetën e hidhur: korrupsioni mbetet pengesa kryesore për investitorët dhe kompanitë që operojnë në vend.
Mbi 2/3 e biznesit e konsiderojnë korrupsionin një problem serioz në Shqipëri. Plot 42.9% e vlerësojnë nivelin e korrupsionit si të lartë dhe 25.6% si shumë të lartë. Ky është sinjali më negativ i regjistruar ndonjëherë nga anketa e Dhomës Amerikane për këtë tregues dhe dëshmon qartë se mjedisi i biznesit është përkeqësuar ndjeshëm nën qeverisjen e Edi Ramës.
Kjo është arsyeja pse konkurrenca është vrarë dhe biznesi i ndershëm është dekurajuar. Në vend të një ekonomie që mbështet sipërmarrjen, prodhimin dhe punën e ndershme, Shqipëria është kthyer në një ekonomi të varur nga ndërtimi, klientelizmi dhe paratë e pista te droges.
Sipas Eurostat, sektori i ndërtimit solli 13.8% të vlerës së shtuar bruto në ekonomi, një nivel dy herë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Kjo nuk është histori suksesi ekonomik. Kjo është prova e deformimit të ekonomisë shqiptare dhe e një modeli që favorizon pastrimin e parave në vend të prodhimit dhe investimeve të ndershme.
Shqipëria është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave të krimit dhe korrupsionit me bekimin e qeverisë. Çdo ditë ngrihen kulla që nuk financohen nga ekonomia reale, por nga para që burojnë nga korrupsioni dhe aktivitetet kriminale.
Lejet e ndërtimit jepen për klientët e pushtetit dhe njerëzit e afërt me qeverinë, ndërsa bizneset e ndershme përballen me barriera, padrejtësi dhe mungesë konkurrence.
Rreth 12 miliardë euro qarkullojnë jashtë sistemit bankar. Këto para investohen në resorte, kazino dhe projekte që shpesh cenojnë të drejtën e pronës dhe interesin publik. Ligjet ndryshohen sipas interesave të klientëve të qeverisë, ndërsa qytetari i zakonshëm është braktisur prej kohësh.
Pasojat e këtij korrupsioni janë shkatërruese për ekonominë dhe institucionet shqiptare. Sipas Altax, korrupsioni i kushton ekonomisë shqiptare 1.115 miliardë euro çdo vit, ose 3.1% deri në 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Nëse kjo situatë vazhdon, Shqipëria mund të humbasë deri në 2.8 deri në 4.8 miliardë euro deri në vitin 2030.
Ndërsa Edi Rama vazhdon të flasë për standarde europiane dhe integrim, realiteti është se shqiptarët po humbasin çdo ditë besimin tek një qeveri që ka zgjedhur të mbrojë korrupsionin, klientelën dhe interesat e një grushti njerëzish në kurriz të shumicës.
Sot beteja nuk është thjesht politike. Është një betejë për ekonominë, për drejtësinë, për konkurrencën e ndershme dhe për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Është një betejë për t’i dhënë fund modelit që pasuron klientët e pushtetit dhe varfëron qytetarët.
Sot të gjithë qytetarët, sipërmarrësit, të rinjtë, profesionistët dhe çdo shqiptar që beson te puna e ndershme dhe te shteti i së drejtës, janë në rrugë e sheshe kundër kësaj qeverie.
Ata janë bërë të gjithë bashkë kundër korrupsionit, kundër kapjes së shtetit dhe kundër modelit që po e zhyt vendin në varfëri dhe pasiguri. Shqipëria meriton më shumë. Shqiptarët meritojnë një qeveri që punon për ta dhe jo për klientët e saj.
Faleminderit!