Përplasi për vdekje 6 persona në tregun gjerman të Krishtlindjeve, dënohet me burgim të përjetshëm autori
Një mjek saudit u dënua me burgim të përjetshëm të premten për vrasjen e gjashtë personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve, duke përplasur një BMW të marrë me qira në turmën e njerëzve në një treg në qytetin lindor gjerman të Magdeburgut, disa ditë para Krishtlindjeve në vitin 2024.
Sulmi tronditi vendin dhe shkaktoi tensione mbi çështjen e debatueshme të emigracionit, muaj para zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në shkurt të vitit 2025.
I pandehuri, i identifikuar si Taleb A. në përputhje me ligjet gjermane të privatësisë, ishte një psikiatër me origjinë nga Arabia Saudite, i përshkruar nga zyrtarët si person me një histori retorike anti-islamike dhe simpati ndaj ekstremit të djathtë.
Prokurorët e kishin akuzuar atë për vrasjen e gjashtë personave dhe tentativën e vrasjes së qindra të tjerëve në një sulm që ata thonë se zgjati një minutë e katër sekonda dhe ishte planifikuar gjatë disa javësh. Pesë gra të moshës 45-75 vjeç dhe një djalë 9-vjeçar u vranë.
‘I pandehuri duket se ka vepruar nga pakënaqësia dhe frustrimi në lidhje me rezultatin e një mosmarrëveshjeje të së drejtës civile dhe mungesën e suksesit të tij në padi të ndryshme penale,” thanë prokurorët, duke besuar se ai ka vepruar i vetëm.