‘Vret bakteret dhe shëron plagën njëkohësisht’: Nanoteknologjia e re mund të jetë e ardhmja e trajtimit të plagëve

Prerjet dhe gërvishtjet e vogla zakonisht shërohen vetë, por plagët kronike, si ulcerat diabetike dhe djegiet e rënda, shpesh infektohen me baktere rezistente ndaj antibiotikëve. Tani shkencëtarët po zhvillojnë një metodë të re që përdor nanomateriale të aktivizuara nga drita për të luftuar infeksionet dhe për të përshpejtuar shërimin.

Teknologjia funksionon duke shndërruar dritën në nxehtësi të lokalizuar ose duke prodhuar molekula që shkatërrojnë bakteret pa dëmtuar indet përreth. Eksperimentet te minjtë dhe derrat kanë dhënë rezultate premtuese, megjithëse metoda ende nuk është testuar te njerëzit.

Plagët kronike krijojnë kushte ideale për formimin e biofilmave bakterialë, shtresa mbrojtëse që i bëjnë infeksionet shumë më të vështira për t’u trajtuar. Mbi 78% e plagëve kronike përmbajnë këta biofilma, të cilët shpesh janë rezistentë ndaj antibiotikëve.

Në një studim, shkencëtarët krijuan një xhel nga lizozima, një proteinë antibakteriale e nxjerrë nga e bardha e vezës, dhe e kombinuan me një ngjyrues që thith dritën. Kur ekspozohej ndaj dritës infra të kuqe, xheli lëshonte proteinën aktive që vriste bakteret. Te minjtë dhe derrat, trajtimi eliminoi më shumë se 95% të baktereve dhe përshpejtoi ndjeshëm shërimin e plagëve.

Studiuesit shtuan gjithashtu jone magnezi për të nxitur qelizat imunitare të kalonin nga gjendja inflamatore në atë rigjeneruese. Sipas shkencëtarit Raffaele Mezzenga, kjo lejon që “bakteret të shkatërrohen dhe plaga të shërohet në të njëjtën kohë”.

Një studim tjetër në Kinë përdori grimca ari dhe pika kuantikegrafeni. Nën ndikimin e dritës blu, materiali prodhoi nxehtësi dhe molekula reaktive që shkatërruan 97% të baktereve. Pas nëntë ditësh, plagët e minjve të trajtuar ishin shëruar në masën 99%, krahasuar me vetëm 70% te grupi i patrajtuar.

Megjithëse kërkohen ende teste sigurie dhe ulje e kostove, ekspertët besojnë se kjo teknologji mund të ofrojë një alternativë të rëndësishme kundër infeksioneve rezistente ndaj antibiotikëve. /Live Science – Syri.net